Audicionet e “The Voice Kids”

08/09/2017 00:00

The Voice Kids është gati për të çelur audicionin e parë të shtunën. Produksioni po përgatitet që çdo detaj të setit për audicionet. Ftesa është që tek instalacioni i tek Piramida, e deri tek studio në brendësi, të cilat po marrin fytyrën e The Voice Kids.

“Kemi shumë aplikime, kemi shumë interes të lartë. Besoj që do të dalë një gjë interesante dhe gjithë atmosfera është shumë festive dhe shumë e bukur”, thotë Alban Male, drejtor artistik.
 
Vocal Coach janë të emocionuar për punën e bukur dhe të vështirë që i pret me fëmijët.

“Ne do të mundohemi që të bëjmë më të mirën tonë. Do të mundohemi që të punojmë shumë me fëmijët dhe jam shumë e sigurt që do të ketë prurje shumë të mira”, thotë Vocal Coach, Kamela Islamaj.

“Talentet nuk mungojnë dhe besoj që mund të ketë një numër të madh talentesh. Kontributi im do të jetë i drejtpërdrejtë për të nxjerrë më të mirën në pah për çdo fëmijë”deklaron Gent Myftaraj, Vocal Coach.

Tanimë janë bërë publikë të katër trajnerët që do të plotësojnë skuadrat e The Voice. Miriam Cani, me një karrierë të konsoliduar si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë është gati të kthejë sërish karrigen e kuqe për të ndarë përvojën me talentet e reja.

Eneida Tarifa, një nga këngëtaret më të spikatura të muzikës së lehtë shqiptare, vjen për herë të parë si trajnere e The Voice Kids, e gatshme për të punuar dhe për t’u argëtuar me konkurrentët e vegjël.

Po ashtu edicioni i “The Voice Kids” vjen me dy risi në një. Matematika në këtë rast i kalon kufijtë e ekstazës ku një plus një bëjnë detyrimisht dy.

Karrigia e kuqe dyfishohet. Aleksandër Gjoka dhe Renis Gjoka, dy breza të ndryshëm do të kenë në dispozicion një buton të vetëm, një vendim i përbashkët dhe dyfish adrenalinë për skuadrën e tyre.

Rreth 1000 fëmijë pritet të marrin pjesë në audicionet që do të zhvillohen në qytet kryesore të Shqipërisë. Vlorë, Korçë, Shkodër e me pas Prishtine në ditët në vijim. Më shumë se gjysma kanë aplikuar gjatë kësaj periudhe në faqen zyrtare të The Voice, por pjesëmarrja në audicione është e lirë edhe për ata që nuk kanë aplikuar online.

The Voice Kids pret të gjithë fëmijët që e kanë ëndërr skenën në audicionin e parë në Tiranë, të shtunën në orën 11 në studio e Top Channel në Piramidë.

Top Channel