Përgjaken rrugët, dy viktima në Elbasan e Lezhë

13/08/2017 00:00

Dy aksidente janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, njëri në aksin rrugor Cërrik-Papër dhe tjetri në autostradën Lezhë-Shkodër.

Në aksidentin e parë ka humbur jetën një 11-vjeçare nga Korça, pasagjere në automjetin tip Ford me targa AA 503 KN që drejtohej nga 54-vjeçari nga Saranda, si dhe janë plagosur shoferi dhe dy pasagjere të tjera, 54 dhe 74 vjeç, respektivisht nga Korça e Saranda, që po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit.

Shërbimet e policisë kanë shkuar në vendngjarje pranë fshatit Valas dhe kanë kryer hetimet për të mësuar shkaqet e daljes së automjetit nga rruga.

Ndërkohë, në orën 5:08 të mëngjesit, policia ka marrë një njoftim për një aksident në afërsi të kryqëzimit të Kallmetit. Pasi shkuan në vendngjarje, shërbimet policore konstatuan daljen nga rruga të një automjeti tip Benz.

Drejtuesi i mjetit, një punonjës policie 50-vjeçar, udhëtonte i vetëm dhe nuk ka mundur të mbijetojë. Edhe këtu vijojnë hetimet për të mësuar shkaqet e aksidentit.

Top Channel