Vepra e Çajkovskit larg variantit klasik në Tiranë

15/04/2017 00:00

‘Mjelmat’ e famshme të Çajkovskit vallëzuan premierë mbrëmjen e së premtes  në skenën e Pallatit të Kongreseve.

Por krejt ndryshe nga varianti klasik i baletit, mjelmat këtë herë shtegtuan në Amerikën e viteve ‘40-’50 sipas konceptit koreografik të Enada Hoxhes e Gerd Vasos.

Akti i pare i baletit i vendosur në sallonin mondan të një shtëpie amerikane, u ndoq me kërshëri nga publiku, i cili mbushi sallën e Pallatit të Kongreseve.

Me delikatesën e mjelmave, balerinat mbushën skenën e madhe të Pallatit të Kongreseve me magjinë çajkovskiane. Habitati i tyre këtë herë nuk ishte liqeni, por një shatërvan, për të qënë pranë me konceptin e Amerikës së viteve ‘40-‘50. Risi tjetër ishte skenografia vendosur mbi ekranin e projektuar mbi New Yorkun këtyre viteve.

“Liqeni i mjelmave” erdhi ndryshe këtë herë dhe jo në variantin klasik dhe kjo ngjalli debate mes artistëve. Vepra vjen në këtë premierë me tre kaste të ndryshme balerinësh për çdo mbrëmje. Pas Ledia Sulaj e Ervis Nallbanit, sonte do të ngjitet në skenë çifti Enada Hoxha e Gerd Vaso, ndërsa të dielën Adela Muçollari e Kris Dalipi do të mbyllin tre mbrëmjet e këtij baleti, interesi për të cilin nga ana e publikut duket se është i lartë.

Top Channel