Poezinë “Shkronja E”, Martin Camaj me lirikën e tij të admirueshme, ja kushtoi bashkëshortes së tij, Erika Camaj. Ajo është në Shqipëri për përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, që përkon njëkohësisht me botimin e veprës së tij poetike.

“Në radhë të parë ai ka qenë bashkëshorti im pastaj poet. Madje kur jemi njohur unë nuk e kam ditur që ai ka qenë poet. Jemi dashuruar natyrshëm me njëri-tjetrin. Jo me shikim të parë dhe ai më ka bërë shumë të lumtur”, kujton Erika.

Gegnishtja e tij tingëllon magjishëm, ashtu si përkthyesi i poezive të tij në gjermanisht Hans Joachim Lanksch kujton se edhe vetë fjala tingull atij i pëlqente pa masë.

“Frikësohem se pavarësisht përpjekjeve, Martin Camaj ende nuk njihet mjaft ”, thotë Hans Joachim Lanksch, përkthyes i Martin Camajt në gjermanisht.

Martin Camaj do të mbetet gjallë nëpërmjet veprës së tij dhe do të kujtohet në ardhmëri si shkrimtari i lartësive. Shkrimtari i vetmuar që jetoi i mërguar me pengun e diktaturës në vendin e tij.

“Martini ka qenë dyfish i vetmuar sepse mundësinë nuk e ka patur kurrë asnjëherë, as në Shqipërinë e tij, as kudo”, thotë Bujar Hudhri, botues i Martin Camajt.

Përveç thelbit të poetit, si akademik dhe albanolog ai frymëzoi dhe çoi në këtë rrugë pasuesit e tij.

“Nëse Martini nuk do të më kishte ftuar për të studiuar çështjet albanologjike, sonte nuk do të isha këtu”, thotë Matteo Mandala, studiues dhe albanolog.

Martin Camaj nuk është më prej 25 vitësh, por të shkruarit dhe vendi i tij kanë qenë gjithmonë obsesioni i tij.

Top Channel