Njerëzimit do t’i duhen edhe shumë dekada që të zbulojë të gjitha misteret e sistemit tonë diellor, por kjo nuk e pengon që të hedhë sytë më larg, drejt një sistemi tjetër.

E kur flitet për një tjetër sistem diellor në mendje të shkon më i afërti; Alfa Centauri. Ky sistem ndodhet 4.7 vite dritë larg Tokës dhe për të mbërritur atje me teknologjinë aktuale njerëzimit i duhen 30 mijë vite.

Megjithatë, Stephen Haëking ka bashkuar forcat me miliarderin rus Yuri Milner dhe Mark Zuckerberg për zhvillimin e një teknologjie që do të dërgonte atje, nëse jo njeriun, të paktën një sondë të komanduar prej tij për vetëm 20 vjet.

Misioni ambicioz synon që me të mbërritur atje të vëzhgohen më nga afër planetet e këtij sistemi që përbëhet nga tre yje, për gjurmë jete dhe qytetërimi alien.

Shkencëtarët janë optimistë se në të paktën njërin nga këta tre yje ekziston një formë jete. Sipas tyre, planete të ngjashme me Tokën ndodhen në atë që e quajnë zona “Goldilocks”, zonë ku nuk është as ftohtë, as nxehtë dhe që mundëson lindjen e jetës.

Misioni është pagëzuar me emrin “Starshot” dhe në fazën e parë janë vënë në dispozicion 100 milionë dollarë.

“Çfarë e bën njerëzimin unik? Ka shumë përgjigjie për këtë pyetje. Disa thonë gjuha, të tjerët arsyetimi. Por unë mendoj se ajo që na bën ne unikë është tejkalimi i limiteve tona. Graviteti na mban me këmbë në tokë, por unë sapo fluturova për këtu, humba zërin por sërish mund të flas. Kështu i tejkalojmë limitet tona, me mendjet, shpikjet dhe makineritë tona”, deklaroi në prezantimin e projektit në One Ëorld Observatory në Nju Jork Stephen Hawking.

Faza e parë e projektit është ndërtimi i një sonde kozmike mikroskopike, që do të peshojë më pak se një gram. Pas kësaj, kjo sondë do të ‘qëllohet’ me rreze lazer drejt Alfa Centaurit dhe do të udhëtonte me 160 milionë kilometra në orë nëse fuqia e lazerit goditës do të ishte 100 gigavat.

Top Channel