Rindërtimi i Operas; Në buxhetin 2017 parashikohet fondi

22/11/2016 00:00

Përgjatë 2017 investimi më i rëndësishëm nga Ministria e Kulturës është ndërtimi i skenave kombëtare, ku përfshihet ndërtim i qendrës multifunksionale dhe rikonstruktimi i TKOB.

“Ka filluar puna për ndërtimin e qendrës multifunksionale, dy skena. Sapo ka përfunduar edhe prokurimi për një investim tjetër shumë të rëndësishëm që është Teatri i Operas dhe Baletit. Ky investim shkon 1.2 miliardë lekë”, u shpreh ministrja Mirela Kumbaro.

Sa i përket fytyrës së re së Bibliotekës Kombëtare fakt është që hapësirat do të çlirohen dhe do t’i rikthehen institucionit.

“Preventivi që ka nxjerrë ky projekt shkon 8 milionë euro, shumë që ishte e pamundur për t’u mbuluar nga buxhetet aktuale. Megjithatë e quajmë një hap shumë ët rëndësishëm duke vënë veton për çlirimin e hapësirave të Bibliotekës Kombëtare”, shtoi Kumbaro.

Pas reformimit të institucioneve të trashëgimisë kulturore, ministrja Kumbaro njoftoi se shumë shpejt do të jetë gati projektligji për Trashëgiminë Kulturore, në të cilin është përcaktuar një fond i veçantë për këtë trashëgimi.

“Ne kemi parashikuar krijimin e një fondi të veçantë për Trashëgiminë Kulturore. Fond i cili do të aprovohet me ligj të caktuar nga Parlamenti”, theksoi ministrja.

Prioriteti për kantierin e zhvillimit do të jetë Gjirokastra.

“Gjirokastra është prioritet, jo vetëm sepse është pasuri i UNESCO, jo vetëm angazhim i qeverisë shqiptare kur mori këtë detyrë, por edhe një nevojë imediate përsa i përket ekonomisë dhe turizmit”, tha ministrja Kumbaro.

Po ashtu Muzeu Gjethi, në përkujtim të viktimave të komunizmit, do të ketë një fond prej 30 mln lekësh në 2017.

Sa i përket punës tre vjeçare, pas reformave të ndërmarra Kumbaro thekson një rritje të të ardhurave nga shitja e biletave me një dyfishim nga 60 mln lekë në 2013 në 132 mln lekë. Si dhe një rritje të theksuar ka patur edhe numri i spektatorëve në 469 projektet në at, kulturë dhe trashëgimi.

Gjatë vitit të ardhshëm një nga aktivitetet më të rëndësishme do të jetë Bienalja e Artistëve të rinj të Mesdheut, që do të mbledhë në Shqipëri 200 artistë të rinj. Rëndësi do të kenë edhe thellimi i urave të bashkëpunimit me rajonin.

Top Channel