Europa League, Inter e Fiore rikthehen pas një muaji te fitorja

20/10/2016 00:00

Inter është rikthyer te fitorja pas plot një muaji, duke mposhtur 1-0 mes shumë vështirësive anglezët e Southamptonit. Një frymëmarrje edhe për Frank de Boer, i cili duket se po jep shenjat e para të shpëtimit të pankinës.

Ka qenë një supergol i Antonio Cadrevas në minutën e 67 të ndeshjes, ai që i dhuroi 3 pikët e para në Europa League zikaltërve, të cilët gjenden në grupin K, pas dy humbjeve të para me Hapoel Beer Sheva dhe Sparta Pragën.

Interi, gjithsesi, ka gjetur fitoren, por jo pa vuajtje. Sidomos gjatë 45 minutave të para të takimit, por edhe pas daljes me kartonin e dytë të verdhë (karton i kuq) të kroatit Brozoviç në minutën e 77. Vendimtare në këtë fitore kanë qenë ndërhyrjet e Handanoviç, por jo më pak ajo e Nagatomos në minutën e 88, kur hoqi topin nga vija fatale.

Edhe italianja tjetër Fiorentina e ka mbyllur me një fitore këtë tur të tretë të ndeshjeve në grupet e Europa League. Ekipi “viola” mposhti 3-1 në transfertë Slovan Liberecin, me një dygolësh të Kaliniç në pjesën e parë, si dhe senegalezit Babacar në pjesën e dytë.

Fiorentina, sikurse edhe Inter, kishte një muaj pa fitore. Hija e vështirësive u shfaq në momentin kur Slovan shkurtoi përkohësisht distancën në 1-2, në minutën e 58, por për italianët u mbyllën llogaritë pas golit të Babacar dhe daljes me karton të kuq për vendasit, të Breites.

Top Channel