Të bësh selfie ka dhe pasoja. Një turist nga Tenesi David Karnauch bëri një selfie në majën e urës së Bruklinit në qershor, që e postoi në llogarinë e tij në Instagram. Por vetëm dy muaj më pas ai përfundoi në burg pikërisht për këtë foto. Autoritetet e akuzojnë 21-vjeçarin për pamaturi të rrezikshme.

Pas hetimeve të policisë së Nju Jorkut, Karnauch, rezident në Chattanooga, u zbulua se kishte postuar edhe foto pak a shumë të ngjashme në urën e këtij qyteti, që për autoritetet është e jashtëligjshme dhe e rrezikshme. Tashmë ai rrezikon një dënim me 30 ditë shërbimi në komunitet.

Ashtu si Karnauch në dhjetor të vitit të kaluar Yonathan Souid u dënua me 30 ditë për të njëjtën arsye. Por ngjarja atë kohë ndezi debate, pas të cilëve u propozua një ligj që parashikonte dënim deri në një vit apo 1 mijë dollarë për ata që ngjiteshin në majat e urave. Nëse një ligj i tillë kalon, një foto nuk do të jetë më sa një mijë fjalë, por sa një mijë dollarë.

Sipas ligjit aktual, kalimi në një infrastrukturë të rrezikshme dënohet me 90 ditë burg dhe 500 dollarë gjobë.

Top Channel