Google sfidon dy gjigantët e shitjeve online, Amazon dhe eBay, me një buton, “Bli” që do të shfaqet bashkë me rezultatet e kërkimit. Ai ka si qëllim të transformojë motorin e kërkimit më të përdorur në botë në një dyqan online, potencialisht më të madhin.

Në një shkrim të “Wall Street Journal” thuhet se ai që do të quhet “Buy button” mund të bëhet disponibël javën e ardhshme për telefonët, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas WSJ, butoni i ri për blerjet do të shfaqet bashkë me rezultatet e kërkimeve “të sponsorizuara”, të sugjeruara me pagesë nga Google, në fillim të faqes nën etiketimin “Shop on Google”.

“Buy Button” nuk duhet të shfaqet në rezultatet pa pagesa. Një herë të klikosh në butonin për blerje, përdoruesi do të transferohet në një tjetër faqe të Google, e personalizuar pë shitësin, ku mund të zgjedhë masat, prerjet, ngjyrat dhe sasinë, duke përfunduar blerjen. Por shitja do të bëhet nga një palë e tretë dhe jo nga shoqëria e Mountain View, e cila do të jetë thjesht ndërmjetëse.

Pikërisht, ky ndryshim i rolit të Google, që deri sot ishte thjesht një “provider” adresash dhe përmbajtjesh në internet, duket se do të përbëjë shqetësimin kryesor për momentin për disa kompani të mëdha. Këto kompani e konsiderojnë motorin e kërkimit Google si një burim rrjeti online dhe sigurisht që nuk do të dëshironin ta shihnin të transformuar në një faqe gjigante tregtimi, që i mban për vete të dhënat e përdoruesve.

Revolucioni i quajtur “eCommerce” i gjigantit të Mountain View do të nisë nga pajisjet smartphone dhe tabletë, gjithnjë më të përhapur (të paktën në dhjetë vende, ku përfshihet SHBA dhe Japonia). Por megjithatë ekranët më të vegjël të telefonëve tregojnë më pak publicitet se kompjuterët.

Për këtë, Google, sipas burimeve të cituara nga “Wall Street Journal”, ka si qëllim të ofrojë një gamë të gjerë metodash të pagesës online, duke futur të dhënat e përdoruesit vetëm një herë dhe që më pas i kalojnë shitësit vetëm rezultatin e transaksionit, pra, paratë.

Top Channel