Zhbogar: Udhëzime po, ndërhyrje jo

23/09/2014 00:00

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ka deklaruar edhe një herë se nuk do të ndërhyjë në politikën e brendshme të Kosovës për të tejkaluar ngërçin politik në mënyrë që të krijohen institucionet e reja.

Zhbogar tha se ajo çfarë mund të bëjë komuniteti ndërkombëtar është që të japë rekomandime që situata të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur. Diplomati slloven theksoi se mbetet të shihet se çfarë do të bëhet ditëve në vazhdim.

Ai vlerësoi se ky është proces demokratik, në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe për rrjedhojë në Kosovë nuk ka krizë institucionale. Ndërsa mbajtjen e zgjedhjeve të reja ai e cilësoi si opsionin e fundit.

“Mendoj se zgjedhjet duhet të jenë opsioni i fundit. Mendoj se së pari duhet të ofrohet çdo opsion tjetër sepse zgjedhjet do e zgjasin dhe e vonojnë procesin për disa muaj. Për këtë arsye mendoj se liderët politikë duhet që të investojnë gjithë energjinë e tyre për të gjetur zgjidhje pa organizuar zgjedhje. Njerëzit e dhanë votën e tyre, e ngritën zërin, tani liderët të gjejnë rrugën për të ecur përpara”, tha Zhbogar.

Nga ana tjetër, ambasadori njoftoi se brenda javës do të qartësohet edhe shpallja e konkursit për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Këto komente Zhbogar i bëri në përurimin e rrugës së rinovuar në Komunën e Skenderajt, e cila të çon tek Manastiri i Deviçit.

Top Channel