Kerkesa e Listes Serbe

12/09/2014 00:00

Kërkesa e Listës Serbe për shtyrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës vlerësohet nga analistët dhe ekspertët kushtetues në Prishtinë si abuzim i serbëve me të drejtat e shumta kushtetuese që u ka ofruar Kosova.

Analisti për politikë dhe siguri mbi Ballkanin, Naim Rashiti mendon se pavarësisht përpjekjes së serbëve për maksimalizimin e pushtetit, në afat të mesëm pakicat do të jenë ato që më shumë do të kenë nevojë për votat e deputetëve shqiptarë.

“Në një situatë vakumi politik, ata që kanë fuqi kushtetuese, në këtë rast serbët, më së miri do ta mbushin, do ta manipulojnë. Sa më kohezive është politika shqiptare e partive shqiptare rreth çështjeve prioritare të vendit, aq më e ngushtë është hapësira e minoriteteve për manipulim”, deklaron Rashiti.

Kërkesa e Listës Serbe për shtyrje të seancës konstituive, sipas ekspertit të cështjeve juridike, Dren Doli, nuk duhet të trajtohet nga kryesuesja e seancës Flora Brovina, por sipas tij, gjatë seancës do të duhej të vendosnin të gjithë deputetët.

Sipas Dolit, justifikimi i serbëve se iu duhet kohë për t’u konsultuar me Beogradin, javën tjetër mund të përdoret nga deputetët turq e boshnjakë të cilët mund të kërkojnë kohë për konsultime me Turqinë apo me Bosnjën.

“Unë besoj që Lista Serbe është e vetëdijshme për pozicionin kushtetues që serbët kanë në Kosovë. Duke shfrytëzuar këtë pozicion ata tentojnë që të maksimalizojnë pjesën e tyre në qeverinë e Kosovës, por edhe të maksimalizojnë ndikimin politik që ata kanë në jetën institucionale në Kosovë”, deklaron Doli.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, e cila ka buruar nga pakoja e Marti Ahtisarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës, serbët kanë të drejta të shumta dhe votat e tyre janë të domosdoshme për ndryshimin e Kushtetutës, por edhe të ligjeve të rëndësishme për vendin.

As Kushtetuta por as ligjet për Gjykatën Speciale dhe ligje të tjera nuk mund të ndryshohen pa dy të tretat e deputetëve shqiptarë plus dy të tretat e 20 deputetëve minoritarë, nëntë prej të cilëve i përkasin Listës Serbe.

Top Channel