Beteja me kancerin e gjirit

28/10/2013 00:00

Tetori është muaji i luftës kundër kancerit të gjirit, një betejë që përballen qindra-mijëra gra e vajza në mbarë botën. Në Shqipëri të dhënat janë alarmante. Nga të dhënat zyrtare çdo vit në vendin tonë diagnostikohen rreth 4 mijë raste me tumor, prej të cilëve 400-500 janë paciente të prekur nga kanceri i gjirit.

Ndaj për të pestin vit radhazi, gra e vajza, përfaqësuese të shoqërisë civile, politikanë dhe diplomatë të huaj kanë apeluar njëzëri për parandalimin e sëmundjes së kancerit të gjirit. Të gjithë bashkë kanë marshuar përgjatë bulevardit të madh “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, për të dhënë një mesazh, kryerjen e kontrolleve dhe ekzaminimeve për diagnostikimin e kancerit të gjirit sa më herët.

Pikërisht kancerit të gjirit dhe ndërgjegjësimi për kryerjen e analizave, kryerjen e një mamografie të thjeshtë në kohë, iu kushtua edhe emisioni “Shqip” këtë të hënë. Në pjesën e parë të tij ishte i ftuar Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. Ai tha se prioritet i qeverisë është ulja e vdekshmërisë së kancerit në vend dhe veçanërisht kancerit të gjirit.

“Sëmundjet tumorale në Shqipëri janë grupi i dytë i sëmundjeve që kërcënojnë më shumë shëndetin e shqiptarëve. Nga kjo pikëpamje është sëmundje që rrezikon shëndetin e popullatës. Në 10 vitet e fundit është rritur shumë kjo sëmunje, cka e bën të domosdoshëm ndërhyrjen e ministrisë dhe qeverisë dhe sektorëve të tjerë. Dy sëmundjet që kërcënojnë më shumë shëndetin e shqiptarëve, sëmundjet kardivaskulare dhe kanceri do të trajtohen me prioritet nga qeveria. Është e pranuar dhe e sugjeruar nga të gjithë, parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm janë dy mjetet më efikase për të përballuar me sukses këtë sëmundje”, tha ministri Beqja.

Intervistë me Nimfa Jaçon, e prekur me kancerin e gjirit

U grumbulluan ato brenda meje në vite dhe shpërthyen kur nuk isha më fëmijë, por gjyshe… Nuk erdhën nga një shkollë arti, por nga shkolla e jetës dhe e zemrës… Mëma Natyrë me format dhe ngjyrat e saj të mrekullueshme, tinguj muzike, një dantellë antike, ca ruaza e temina plot shkëlqim, një tel i spërdredhur dhe krijesa e vogël fillon të marrë formë, të marrë emër, dhe histori… Eksperimentova pa mbarim me ngjyra, forma dhe materiale, lexova e kërkova, fluturova me imagjinatë dhe u krijuan ato të dashurat zonja e princesha, gra që gatuajnë e mbajnë dru, gjyshe që ëmbla e rome me fëmijë. Ëndrra u bë realitet! Ajo erdhi nga e kaluara për t’i dhënë jetë së ardhmes… Vazhdoj të krijoj kukulla për gëzimin dhe qetësinë që më japin. I krijoj ato për buzëqeshjen, që gjej tek njerëzit kur i shohin… I krijoj ato për çudinë fëmijë, që jeton akoma brenda meje… I shpërndaj krijimet e mia në njerëz duke shpresuar që t’u kem dhënë atyre një pjesë nga shpirti im, që çudia të vazhdojë…

Rudina Xhunga: Kush është kukulla e fundit që keni krijuar?

Nimfa Jaço: Kukulla e fundit është kjo që kam me vete të cilën e bëra pasi u sëmura dhe është bërë pa flokë. Unë e solla si një mesazh që veten duhet ta duash sido që të jesh. Edhe pa flokë. Kukulla është rozë sepse roze është dita për sensibilizimin kundër kancerit të gjirit.

Rudina Xhunga: Kur humbet flokët për shkak të kimioterapisë, kjo ndjesi ishte më e fortë sesa frika e sëmundjes?

Nimfa Jaço:Jo, frika nga sëmundja është shumë më e fortë. Me rënien e flokëve mësohesh, ke dëgjuar. Unë për vete e mora lehtë, provova paruke por m’u duk vetja e tjetërsuar dhe kështu zgjodha stilin tim. Vë shaje ngjyra-ngjyra të cilat i ndryshoj sipas veshjes dhe ndjehem mirë, më pëlqejnë.

Rudina Xhunga: Nipi juaj është 8 muajsh. Ju shikon me çudi?

Nimfa Jaço:Jo, ai më njohu kështu dhe më pëlqen kështu. Ai është drita ime në fund të tunelit. Kur them që unë do kem jetë, shoh veten tek çoj Juin në shkollë, në klasë të parë. Ai erdhi në jetë para kohe dhe luftoi. Për mua ai është një frymëzim, sepse kaloi inkubatorin, kaloi të gjitha fazat për të qëndruar në jetë.

Rudina Xhunga: Kanceri është një fjalë e tmerrshme, dhe vetëm kur e dëgjon të fut frikën. Si e shqiptoni për veten tuaj?  

Nimfa Jaço: Është shumë e vërtetë por unë vet kam punuar për tre vjet, para një viti e kam lënë punën tek YWCA, që ka bërë fushatat e mëdha, ecjet masive për sensibilizimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit, kam bërë mijëra fjongo rozë që jua kam shpërndarë grave dhe vajzave, dhe si për ironi të fatit, kur erdhi fjala që unë, që bëra gjithë këtë luftë, kjo sëmundje erdhi dhe më preku. E pata të vështirë ta shqiptoja. Në fillim ishte diçka e pabesueshme, më dukej vetja sikur nuk isha më unë, por sikur isha një tjetër që po luaja një rol në teatër dhe jo unë, e vërteta. Por pastaj mësohesh dhe duhet ta bësh mirë rolin që të ka rënë. Është rol i vështirë, është i panjohur por puna është ta bësh mirë. Kur shkoja për fushatat kundër kancerit të gjirit, mbaj mend që një ditë mora disa fletëpalosje dhe postera për t’ia dhënë shitëses tek dyqani i lagjes time dhe i thashë asaj t’ia shpërndante grave që do shkonin të bënin pazar, pasi ato janë falas. Ajo sapo dëgjoi fjalën kanceri i gjirit u trondit dhe u tremb dhe filloi duke thënë, aman, nuk dua ta dëgjoj atë fjalë. Më fal, i thashë, dhe nuk ia lashë fletëpalosjet. Dhe pikërisht kjo është arsyeja që më shtyu të dal në emision. Fillimisht, me thënë të drejtën, kur më kërkuat të jem pjesë e emisionit, pata një ngërç të vogël për disa orë dhe këtë jo për shkak të kamerave, sepse kam bërë plot intervista, gjëra të bukura plot ngjyra, plot jetë për krijimtarinë time, për jetën time, trajnime për fëmijë, etj Dhe nuk e pata nga kamerat por po thosha me vete që unë kam dhënë kaq gjëra të bukura në jetë, çfarë do them më tepër. Por pastaj mendova, ke çfarë të thuash, ke plot. Sikur eksperienca ime t’iu vlejë 20 vetave, të themi, që e vuajnë apo janë në luftë, bëj diçka të mirë. Sikur të sensibilizohen edhe 20 të tjerë, përsëri diçka të mirë e kam bërë. Prandaj kam ardhur,  sepse fjala kancer është ende tabu në shoqërinë shqiptare. Njoh njerëz që vuajnë dhe që mua t’ia dijë vetëm familja e ngushtë dhe askush tjetër.

Rudina Xhunga: Ju e ndatë me të tjerët?

Nimfa Jaço: Unë e ndava qysh në fillim dhe ndjehem shumë mirë.

Rudina Xhunga: Si e treguat?

Nimfa Jaço: Të afërmve ia tregova sepse ata edhe më ndiqnin kur bëja analizat dhe kështu që i gjithë rrethi e mori vesh menjëherë. Pastaj ia tregova mikeve të mia. Mua më pëlqen ajo pjesa sociale, si facebook apo e-maile. Kam shumë mike nëpër botë dhe i lajmërova. Ato më kanë mbështetur shumë dhe në rast se do shërohem, është terapia më e mirë që do ketë bërë efekt tek unë, falë kurajës që më kanë dhënë, me telefonata të përditshme, me mesazhe, me lutje. Secila, në mënyrën e vet, ka bërë shumë për mua. Kur po thosha që kanceri i gjirit është ende tabu në shoqërinë shqiptare, dua të theksoj që ka edhe mjekë të cilët nuk i thonë të sëmurit se çfarë ka, por shkojnë dhe i thonë vetëm të afërmit të të sëmurit. Për mua kjo është shumë e rëndë sepse vetë i sëmuri do i gjejë forcat ta luftojë. Kam lexuar që kimioterapia bën efekt 10-20% por po nuk mblodhe forcat e tua dhe të luftosh me gjithçka si me stilin e jetë, ushqimin, ngrohtësinë familjare dhe shoqërore, ndryshe nuk ke forca të luftosh, dorëzohesh. Ka njerëz që bëjnë vetëm kimioterapinë e parë dhe pastaj dorëzohen.

Rudina Xhunga:Është e rëndë kimioterapia?

Nimfa Jaço: Është e rëndë. Për mua është periudha më e vështirë e luftës por është gjithmonë shpresa në fund që, ja se do bëj edhe këtë apo atë. Deri këtu do bëj ç’është e mundur, me shpresën që kam bërë diçka për të luftuar. Kirurgjia është më e mira por në rastin tim nuk u këshillua, më pas është radioterapia dhe në fund kimioterapia.

Rudina Xhunga: Më duket i rëndë ai momenti kur shkon dhe pret në spital. Shumë të rënda radhët te onkologjiku…

Nimfa Jaço: Unë provova pak edhe në një spital privat dhe zgjodha në fund onkologjikun pra, shtetërorin sepse ka eksperiencë shumëvjeçare. Atje vijnë njerëz nga e gjithë Shqipëria. Kur unë shtrohem për të bërë kimio, gjithsej zgjat tre orë dhe pastaj kthehem në shtëpi. Atje pranë ke nja gjashtë njerëz të tjerë, burra dhe gra sepse atje bëhet kimio jo vetëm për kancerin e gjirit dhe sikur merr kurajë nga njeri-tjetri. Sepse këtu nuk ka një komunitet, një e metë e madhe në shoqërinë tonë, ku të gjithë njerëzit e sëmurë të luftojnë së bashku, të ketë një psikoterapist që të udhëheqë të sëmurin, t’i tregojë se çfarë efektesh ka kimio, psikologjiket më shumë që janë më të rënda se ato fizike, pasi ka mjekime të mira. Por sa ka ecur keq kanceri i gjirit në botë aq përparon edhe shkenca për ta luftuar atë. Kështu që ka mjete për ta lehtësuar, si për shembull ato të vjellat që nuk janë si më përpara etj. Por kur ke pranë një njeri që të thotë që ka bërë 20 kimio, që thotë unë e kalova mirë këtë pjesë, ndërkohë edhe ti jep eksperiencën tënde, për mendimin tim është e mirë, dhe mua më ka ndihmuar shumë.

Rudina Xhunga: Çfarë ju shoqëron më shumë, sepse njeriu ka momente kur është i shëndetshëm dhe nuk e përballon dot jetën. Po kur ke probleme të forta me shëndetin?

Nimfa Jaço: Ke shumë ulje-ngritje por duhet t’i gjesh forcat. Është ajo që thashë më parë, duhet të gjesh një diçka që të jetosh të tashmen, të jetosh orën, ditën. Unë mundohem të bëj jetë normale, jo të rri në krevat, absolutisht jo.

Rudina Xhunga: Por jeni e lodhur...

Nimfa Jaço: Jam e lodhur dhe orët e pasdites rri në shtëpi.  Por paradite dal, bëj pazarin, gatuaj, bëj takime, preferoj shumë të dal në natyrë dhe gjatë këtyre gjashtë muajve që jam duke luftuar kancerin, nuk kam lënë vend pa vizituar si detin, gjelbërimin, Kepin e Rodonit, Krujën, Beratin etj., pra kam lëvizur dhe më ka bërë shumë mirë me njerëzit që dua. Duhet të gjesh forcën të luftosh, të jetosh aq sa mundesh, ke momentin e mirë që nuk je shumë sëmurë, jetoje.

Rudina Xhunga: Keni frikë?

Nimfa Jaço: Frika, ekziston. Fillimisht më e madhe. Njeriu mendon ato pse-të, pse mua. Unë kam qenë njeriu me jetën më normale, pa cigare, pa alkool, pak yndyra, pak të skuqura, pak sheqer, pak kripë. Kam qenë shumë e rregullt. Pse mua? Arsyen nuk e gjen dot. Sëmundja zgjedh vet dhe këtë mesazh dua t’i jap njerëzve, të mos mendojnë se janë të mbrojtur prandaj janë këto depistimet. Duhet të bësh një kontroll sepse nuk ka një moshë të caktuar për sëmundje. Unë tek onkologjiku shoh njerëz të sëmurë nga të gjitha moshat. Moshat kur bëhen depistimet, thuhej që ishin 40 deri në 60. Mua më zuri në moshën 73 vjeçare dhe njoh shumë të tjera të moshës time. Të vjen në çdo moshë. Ka të rinj, ka mama me bebe atje që luftojnë kundër kancerit të gjirit. Kështu që askush nuk është i paprekshëm. Mendon që je mirë, i shëndetshëm, por mund të mos jesh. Shko kontrollohu!

Rudina Xhunga: Por njerëzit i kanë frikë kontrollet, i duket sikur kontrolli i sjell sëmundjen. Siç ishte rasti i asaj shitëses tek lagja juaj që e largoi fletëpalosjen.

Nimfa Jaço: Po, e largoi dhe nuk donte të dëgjonte informacion për të edhe pse informacioni këtë thoshte, bëj një kontroll. Është një e metë, dhe prandaj janë të mira këto emisione. Duhen bërë të tilla emisione që të sensibilizohen njerëzit.

Rudina Xhunga: Ndihmon informacioni në kohën e duhur?

Nimfa Jaço: Ndihmon shumë sepse sa më shpejt të kapet sëmundja aq më i suksesshëm është kurimi. Mendoj se nuk do ketë njeri që do e ndjekë këtë emision dhe të mendojë për një të afërm, familje apo rreth shoqëror të sëmurë dhe që është ende në jetë dhe që ka fituar luftën kundër kancerit. Kështu që ndihmon shumë, sa më herët ta kapësh fazën e sëmundjes dhe pastaj mund të bësh jetë normale.

Rudina Xhunga: Nuk po na dëgjojnë vetëm ata që duhet të bëjnë kontrollin dhe ne jemi shumë, unë e para që pasi të fola me ju do shkoj të bëj kontrollin, por janë njerëz ata që iu janë nënshtruar fatit dhe thonë ky është fati im, dhe ata janë shumë.

Nimfa Jaço: Janë dhe ata shumë dhe të thashë të shkosh të shohësh tek onkologjiku, dhe unë ulem në korridor kur djali merret me burokracitë, por që duhen bërë sepse duhen plotësuar kartelat, pra rri atje në korridor dhe shoh njerëz pafund që kalojnë për të bërë kontrolle, terapi, nga e gjithë Shqipëria, të të gjitha formimeve, të të gjitha moshave. Ka shumë.

Rudina Xhunga: Si sillen infermierët, mjekët, kanë kohë për të gjithë në spital?

Nimfa Jaço: Infermierët dhe mjekët nuk kanë kohë por janë humanë, të paktën për pjesën që unë përjetoj. Në çdo 21 ditë që unë duhet të shkoj të bëj kimion, kam gjetur profesionalizëm dhe humanizëm, flas për tek reparti i kimioterapisë poshtë. Kanë përvojë të madhe dhe kanë humanizëm. Ata nuk kanë kohë të merren me pacientin, pasi pacienti ka nevojë për më shumë kohë. Ka nevojë jo vetëm t’ i thuash çfarë mjekimesh të marrë, por edhe çfarë duhet të dijë për të mundur sëmundjen, ka nevojë për mbështetje psikologjike. Njeriu ka nevojë për më shumë.

Rudina Xhunga: Ndërkohë, po vazhdoni të punoni?

Nimfa Jaço: Jo, e kam ndërprerë. Tani duhet t’i kushtohem vetes por me atë timen bëj një lloj pune. Mendoj të shkruaj për këtë eksperiencë, nuk rri bosh, kam filluar diçka dhe duket sikur po më ecën, dhe dua ta shpërndaj sepse ndoshta i hyn në punë dikujt që si unë vuan por ndoshta i vlen edhe njerëzve të zakonshëm që ta dinë që ka edhe kështu jeta dhe se duhet ta përballësh. Ta shohësh në sy. Të godet, të frikëson por edhe do luftosh, të gjesh forca të luftosh sepse jeta është e bukur. Jeta është e bukur dhe e kupton më shumë në këto momente. Një ditë me diell dhe me qiell blu, ajo muzika e dallgëve të detit, oh thua, sa gjynah të mos e kem. 

Top Channel