Nis pastrimi i rrënojave tek Ekonomiku

21/10/2013 00:00

Për kuriozët që kthejnë kokën për të parë çfarë ka ndodhur pranë rrënojave që mbetën nga godina pesëkatëshe pranë Fakultetit të Ekonomisë, punëtorët përpiqen të rilidhin një shirit policie të rënë përtokë. Ndoshta një mënyrë e mirë për të thënë “mos kalo”.

Dy burra janë punësuar nga familja Gjonmarkaj për të mbledhur çfarë mund të konisderohet ende e vlefshme për të shitur. “Jemi këtu sepse na ka paguar pronari i ndërtesës që të marrim hekurin”, thotë njëri prej tyre. “Siç e shoh unë me sy do të duhen nja tre-katër ditë për ta mbledhur”, thotë tjetri.

Ngjitur me rrënojat, familja Gjonmarkaj vijon të bëjë rezistencë. Anëtarët e saj kanë mbledhur disaa objekte për përdorim dhe këmbëngulin se në emër të pronës do vijojnë të qëndrojnë aty.

Kryefamiljari Kolë Gjonmarkaj në vitin 1991 ishte një 24-vjeçar që la vendlindjen, Mirditën, për të jetuar në Tiranë, vijon të theksojë dhe bën apel se ndërtesa e tij ishte me leje dhe se sipas tij s’kishte aryse pse të bëhej ai shembull. “Unë nuk iki, ta dinë mirë ata. Edhe një ferrë po te ketë mbetur është ferra ime”, thotë ai.

Fare pranë rrënojave mjetet e ushtrisë presin të furnizohen me karburant për të filluar edhe ato operacionin e pastrimit të zones, por këta te fundit pak me nge. Një grup specialistësh që sidoqoftë nuk dinë se kur ky territor do jetë pa grumbullin e inerteve.

“Nuk e di, ne kemi inxhinierë, por duhet të dihet se po nuk u nda hekuri nga betoni s’e kemi të qarte se kur pastrohet”, thotë njëri prej tyre. Puna për ushtarakët nuk nisi as në orët e pasdites. Ata e kalojnë ditën në pritje.

Një pritje që pranë themeleve të godines së shkatërruar ka bërë bashkë tre fate, një familje që po strehohet në gjysmërrënoja, disa burra që paguhen pikerisht nga seleksionimi i mbetjeve e më tej ushtarakë e civilë që i ka bërë bashkë një operacion që presin ta kryejnë edhe në rrethe të tjera.

Top Channel