Festivali Ndërkombëtar të Filmit

04/10/2013 00:00

Prej dy ditësh ka nisur në Durrës Edicioni i 6-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, i cili në hapjen e tij i ka bërë homazh një prej aktoreve ikonë të skenës dhe ekranit tonë, Drita Pelingut.

Ndonëse në një periudhë të vështirë krize, festivali nuk e ndërpreu rrugëtimin e vet. I prezantuar nga aktori Timo Flloko, festivali këtë vit ka shmangur garën për “Gladiatorin” dhe sjell kryesisht një retrospektivë të filmave shqiptarë ndër vite.

Gjatë ceremonisë së çeljes në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” organizatorët nderuan dy emra të njohur të kinemasë, regjisorin Pirro Milkani dhe aktorin Lutfi Hoxha.

Regjisori i mirënjohur Dhimitër Anagnosti i dorëzoi “Gladiatorin e Artë” për kontributin e çmuar regjisorial në filmin shqiptar, djalit të Pirro Milkanit, Enos.

Për figurat artistike të realizuara me dashuri dhe origjinalitet në filmin shqiptar u nderua me Çmimin e Karrierës edhe aktori veteran i teatrit të Durrësit, Lutfi Hoxha. Duke i dorëzuar “Gladiatorin e Argjendtë”, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, premtoi se pas këtij viti të vështirë financiar, Festivali i Filmit do të rifitojë lavdinë e arritur në 5 edicionet e kaluara.

Pas ceremonisë, publiku pati kënaqësinë të shikonte filmin “Trishtimi i Zonjës Shnajder”, që mban firmën e regjisorëve Pirro dhe Eno Milkani.

Mbrëmja e së enjtes solli në Durrës filmin “Diktatori i madh” nga Çarli Chaplin dhe më pas dokumentarin “Aktori që i ngriti vetes monument” nga Kliton Nesturi.

Top Channel