PS: Populli nën thundrën e krimit

16/07/2013 00:00

Shtimi i akteve kriminale ditët e fundit ka sjellë reagimin e Partisë
Socialiste, e cila i ka kërkuar Policisë së Shtetit të ngrihet në këmbë
dhe të sigurojë jetën e qytetarëve.

Deputeti i PS-së Sajmir Tahiri është shprehur në një konferencë për shtyp se vendi po përjeton një përshkallëzim kriminal të paparë dhe të padëgjuar ndonjëherë. Sipas tij Shqipëria është zhytur në thundrën e kriminalitetit.

“Vendi po përjeton një përshkallëzim kriminal të përmasave alarmante, të paparë e dëgjuar ndonjëherë më parë. Nga dhuna dhe vrasjet në familje, te larja e hesapeve mafioze e deri të rishfaqja e maskave dhe grabitjeve në rrugë, Shqipëria është zhytur nën thundrën e kriminalitetit. Bëhet fjalë për krime të paralajmëruara, të denoncuara ose krime aq evidente e të hapura, sa Policia e Shtetit duhet ti kishte ditur dhe ti kishte parandaluar përpara se të vinin pasojat fatale. Megjithëse ka një Kryeministër e një Qeveri në detyrë, shteti është lënë si mall pa zot, qytetarët janë braktisur në mëshirë të fatit ndërsa Policia është kthyer në agjenci mortore që numëron viktimat. Ne jemi të bindur se qytetarët meritojnë një tranzicinon paqësor të pushtetit, jo tranzicion të përgjakur të pushtetit, me anarki, vetëgjyqësi, armë të përhapura në masë njëlloj si në vitin 97, e po kështu me vrasje, plagosje, grabitje, banda, dhe larje hesapesh. Ndaj i bëjmë sot thirrje të gjithë punonjësve dhe drejtuesve të ndershëm të Policisë së Shtetit: Ngrihuni në këmbë e bëni detyrën për të garantuar sigurinë publike dhe paprekshmërinë e qytetarëve shqiptarë. Tregoni se shteti është në këmbë pavarësisht se bien qeveritë. Tregoni se vetë Policia e Shtetit është në këmbë për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve”, tha Tahiri.

Top Channel