Pavarësisht se ende nuk është vendosur data, se kur do të zhvillohen zgjedhjet lokale në Kosovë, subjektet politike kanë filluar angazhimin e tyre.

Disa janë në proces të zgjedhjes së kandidatëve, që do të garojnë për kryetar komune, ndërsa disa të tjerë tashmë kanë filluar t’i bëjnë publike nominimet e tyre, siç ka vepruar AAK me Besnik Tahirin, i cili do të garojë për të parin e kryeqytetit të Kosovës.

Vjeshta e hershme pritet të jetë koha, kur do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, por për të vendosur datën, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pritet t’i bëjë bashkë të gjitha subjektet politike në Kosovë.

“Presidentja, në mënyrë të vazhdueshme zhvillon takime me partitë politike. Gjithashtu, do të vazhdojë edhe raundi i dytë dhe shpresojmë që të mbahet një takim me të gjitha partitë politike, në mënyrë që të përafrohen idetë e tyre për datën e zgjedhjeve”, tha Selim Selimi, këshilltar ligjor i presidentes së Kosovës.

Por, ajo që po synojnë institucionet e Kosovës është edhe mbajtja e njëkohshme e zgjedhjeve në komunat në veri të Kosovës, siç parashikohet edhe në marrëveshjen e arritur në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Selimi thotë se presidentja do t’i shpallë zgjedhjet për të gjithë territorin e Kosovës.

“Presidentja e Republikës së Kosovës ka kompetencë me Kushtetutë, që të përfaqësojë unitetin e popullit dhe, për këtë shkak, presidentja e Republikës së Kosovës do t’i shpallë zgjedhjet për të gjithë territorin e Kosovës. Domethënë, ky është qëllimi ynë dhe kjo do të bëhet”, theksoi Selim Selimi.

Sidoqoftë, zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur në vitin 2009, ku janë zgjedhur kryetarët e komunave dhe këshilltarët e asambleve komunale, por kjo nuk kishte ndodhur edhe me tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok.

Top Channel