Shqipëria, në turbulencë politike

19/04/2013 00:00

Dy raporterët e Këshillit të Europës, britaniku Jonathan Evans dhe
moldavi Grigore Petrenco, në përfundim të vizitës së tyre faktmbledhëse
në Tiranë shprehën shqetësim për atë që e quajtën turbulencë politike,
pas zhvillimeve që lidhen me KQZ-në.

“Vizita jonë ka koinciduar me një periudhë të trazuar në lidhje me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një organ që ne besojmë se jo vetëm duhet të jetë i pavarur dhe i paanshëm, por ka edhe nje rol vendimtar në sigurimin e zgjedhjeve të tilla.Ne nxisim fuqimisht të gjitha partitë politike të bëhen bashkë në mënyrë urgjente dhe të zgjidhin çrregullimin aktual që po ndikon në funksionimin e KQZ-së.Këto zgjedhje janë gjithashtu vendimtare për vlerësimin e nevojës për vazhdimin e procedurës monitoruese të Këshillit të Europës, si dhe për kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE”, tha Evans.

Jonathan Evans tregoi se i është kërkuar nga politikanë të caktuar që KiE-së të jetë në rolin e arbitrit për të zgjidhur krizën ku është futur KQZ-ja, por kjo është e pamundur, shpjegoi ai, pasi roli i tyre është thjesht raportues.

Ai theksoi se do të ishte i pakonceptueshëm avancimi me kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, ndërkohë që vazhdohet me procedurën monitoruese të Këshillit të Europës. Homologu i tij Grigore Petrenco tha se jemi të zhgënjyer që nuk është bërë progres për ato reforma që duhet të miratoheshin në Parlament.

“Ne presim gjithashtu progres në të ardhmen në lidhje me kërkesat e vetë Këshillit të Europës për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e pavarësisë së gjyqësorit. Na janë shprehur gjithashtu shqetësime në lidhje me nevojën për vendosjen e pavarësisë së Autoritetit Rregullator të Medias dhe për mbrojtjen e këtij organi nga ndërhyrjet politike”, tha Petrenco.

Gjetjet e dy raporterëve do t’i paraqiten në ditët në vijim, Komitetin Monitorues të Këshillit në Strasburg.

Top Channel