“Zaptimi i Porto Romanos nga serbët”

31/01/2013 00:00

Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe vijon denoncimin e asaj që ai këtë herë e quajti “zaptimi serb i Porto Romanos”.

Në një postim në Facebook, Braçe publikoi një dokument që përshkruan pronën prej 80 mijë metër katrorë të “Crown Aquisitions”, kompania në pronësi të biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç.

Braçe ngre sërish pyetjet për vajzën e kryeministrit, Argita Berisha Malltezi: “Si e mori në pronësi tokën Damir Fazlliç? E bleu? Kujt ja bleu? Ai është shtetas i huaj? A është në përputhje me ligjin kjo procedurë përfitimi e pronësisë? Po tarifë suksesi për lejen e Qeverisë a pagoi? Ku? Kujt? Sa ishte vlera?”, thotë Braçe.

Skandali për pronën në Porto Romano shpërtheu pas denoncimeve në Top Channel të biznesmenit pakistanez Zafar Ansar. Ansar thotë se Shqipërinë e ka vizituar për herë të parë kur një mik ishte ambasador i Pakistanit në Romë, që mbulonte edhe Shqipërinë.

Ai shton se kompania e tij kryesisht merret me financë dhe projekte energjitike. Në Shqipëri ai donte të blinte ish-Bankën e Kursimeve, por ky projekt nuk u realizua pasi Ministria e Financave zotëronte 40% të aksioneve. Më pas Ansar deklaron se nisi eksplorimin mundësisë për të investuar në energjitikë.

Në kuadër të kësaj atij i është ofruar toka për ndërtimin e një TEC-i me naftë në Porto Romano. Për konsulencë ligjore në realizimin e projektit, biznesmeni pakistanez ka kontaktuar me ndërmjetësimin e ambasadorit shqiptar në Arabinë Saudite, Argita Malltezin.

“Argita më ofroi shërbimet e saja dhe unë rashë dakord të bashkëpunoja me të. Ajo më dërgoi marrëveshjen për të siguruar pagesat e saja për shërbimet ligjore, përveç të cilave, kërkonte edhe 3% si tarifë suksesi. Unë nuk e nënshkrova këtë marrëveshje pasi e konsiderova si rryshfet. Projekti im u arkivua jo nga kërkesat ekskluzive, apo çështje të naftës, por sepse nuk pranova kërkesat”, deklaroi në intervistën e dytë dhënë ekskluzivisht për Top Channel më 25 janar biznesmeni paksitanez, Zafar Ansar.

 

Top Channel