Heqja e tatimit dhe rritja e pagave

30/01/2013 20:00

Kryeministri bëri të ditur në mbledhjen e radhës të qeverisë efektet e vendimit për të hequr tatimin mbi të ardhurat për pagat deri në 30 mijë lekë.

“Kryefjala e kësaj mbledhjeje është revolucioni ynë fiskal, i cili nuk ka të ndalur, por kësaj radhe konsiston me rritjen 10 për qind të rrogave të mbi 200 mijë punonjësve në sektorin privat, me rrogë nën 30 mijë lekë dhe përafërsisht të 15 mijë punonjësve të të gjitha sipërmarrjeve publike dhe sektorit publik qendror e lokal me rrogë nën 30 mijë lekë, të cilëve do t’u hiqet tatimi mbi të ardhurat personale prej 10 për qind”, deklaroi Berisha.

Llogaritë e kryeministrit kur deklaron se heqja e tatimit mbi të ardhurat do të rrisë deri në dhjetë për qind pagat për rreth 215 mijë punonjës në sektorin privat dhe publik janë të pasakta.

Në fakt, shifra reale e rritjes varion nga 5.2 për qind për ata që e kanë pagën 21 mijë lekë në muaj, deri në 6.7 për qind për punonjësit me pagë mujore bruto 30 mijë lekë.

Që në vitin 2007, kur aplikoi taksën e sheshtë, qeveria vendosi që punonjësit me pagë deri në 30 mijë lekë në muaj të mos paguanin tatim mbi të ardhurat për dhjetë mijë lekëshin e parë të rrogës.

Si rrjedhojë, një qytetar që sot merr një pagë minimale sipas ligjit, prej 21 mijë lekë në muaj, paguan si tatim mbi të ardhurat 1100 lekë në muaj, ose 5.2 për qind të totalit të rrogës së tij.

Ndërsa një i punëusar me pagë në kufirin e sipërm të fashës, prej 30 mijë lekë në muaj, paguan aktualisht 2 mijë lekë në muaj taksë mbi të ardhurat, ose 6.7 për qind të totalit të rrogës.

Pikërisht kaq është shtesa që përfiton kjo kategori nga heqja e taksës, nga 5.2 deri në 6.7 për qind, pra gati dy herë më pak nga ajo që pretendon kryeministri.

Top Channel