Akuza Argitës për tokën e Ansar

17/01/2013 00:00

Oferta për të blerë një sipërfaqe toke, ishte një element parësor i korrespondencës, mes Zafar Ansar biznesmenit pakistanez, i cili donte të investonte 100 milionë euro në ndërtimin e një TEC-i dhe kompanisë avokatore të Argita Malltezit, vajzës së Kryeministrit Berisha.

Ja çfarë deklaroi Ansar për tratativat e Argita Malltezit në shitjen e kësaj toke: “Fillimisht nuk e dija që ajo kishte interes në shitjen e tokës të cilën më ofroi. Fillimisht më pyeti nëse dëshiroja të bleja tokë dhe çfarë hapësire. I tregova se kisha nevojë për tokë ku mund të ndërtoja TEC-in. Këtë e bëra nëpërmjet një e-maili ku i shpjegoja specifikat e tokës që më duhej. Ajo më pas më informoi se toka është gati dhe se duhet të veproja shpejt në mënyrë që ta bleja sepse më vonë s’do të kisha mundësi. Toka e ofruar prej saj nuk ishte e përshtatshme, pa infrastrukturën e nevojshme, shumë e shtrenjtë dhe nuk i përmbushte kërkesat e mia. E informova se ishte shumë herët të blija tokën sepse fillimisht duhet të aprovohej projekti dhe më pas të investoheshin miliona euro për blerjen e tokës. Ajo më tha se aprovomi i projektit nuk do të përbënte problem. Shitja e tokës do të ishte një mundësi e shpejtë për të bërë para. Po, kishte një presion prej meje për të blerë tokën. Pasi vendosa të mos e bleja tokën m’u tha se ndërtimi i TEC-it 120 megawat do të ketë probleme”.

Në reagimin e Argita Malltezit një ditë pas intervistës së Ansar,çështja e tokës nuk përmendet në asnjë rresht të sqarimit të saj rreth marrëdhënies mes zyrës avokatore dhe këtij biznesmeni.

Ky fakt është përdorur nga deputeti socialist Erion Braçe, i cili nëpërmjet Facebook ka postuar një planimetri dhe disa të dhëna për pronësinë e kësaj sipërfaqe toke. “Toka është elementi tjëtër kyç, në cështjen ‘Zonja 3 milionë euro'”, shkruan Braçe, i cili i drejton disa pyetje Argita Malltezit, se e kujt ishte toka qe ajo i ofroi për të blere zotit Zafar Ansar? “…E juaja? Nese po, si u bete ju pronare e saj? E shtetit? Si e disponuat ju ate? E dikujt tjeter? E kujt?”

Krahas këtyre pyetje Erjon Braçe është i interesuar të dijë nga vajza e Kryeministrit Berisha se si i bleu “Crown Aquisitions” e Damir Fazlliç 25.030 metër katrorë toke ne fshatin ‘Rinia’, buze detit, after Porto Romanos ne Durres?

Brace e mbyll postimin në Facebook me këto fjalë. “Besoj se do te pergjigjeni. Ju jeni transparente”.

PS: Argita, konflikt interesi

Deputeti Eduard Shalsi nisur nga faktet e bëra publike lidhur mbi rolin e vajzës së Kryeministrit në ndërmjetësimin e investimeve të huaja në Shqipëri, akuzoi për konflikt interesi të hapur Kryeministrin e vendit dhe kërkoi sqarimin e rrethanave të kësaj marrëdhënieje.

“Pranimi i çdo negociimi apo akoma më keq, pranimi i çdo lloj pagese për aktivitetet e të cilëve kërkohet aprovimi i Kryeministrit janë akte të pastra konflikti interesi. Të përdorësh informacionin e zyrave të shtetit për të përzgjedhur klientët e studios tënde ligjore, të inkurajosh klientët e studios tënde të zhvillojmë biznes mbi bazën e informacionit që ti posedon, të kontaktosh biznesmenë dhe t’u ofrosh mundësi investimi për shkak të pushtetit që babai yt ka, këto nuk janë veprime të thjeshta biznesi, por konflikte të pastra interesi dhe si të tilla madje edhe të dënueshme. Për të bijën e Kryeministrit nuk mjafton të bëjë publike vetëm të ardhurat, pra sa fiton, por edhe si fiton, në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi të shohin dhe të gjykojnë nëse klientët e saj kanë përfituar apo jo nga veprimet e Qeverisë që i ati i saj kryeson. Një biznesmen foli për negociimet më të bijën e Kryeministrit dhe kjo e fundit e pranoi, të tjerë nuk kanë kurajo të bëjnë. Nëse e bija e Kryeministrit nuk ka gjë për të fshehur le t’i tregojë shqiptarëve klientelën e saj, biznesmenët e saj, në mënyrë që të gjithë të gjykojnë nëse ka influencuar ose jo në vendimet e Kryeministrit shqiptar”, tha Shalsi.

Malltezi: Shpifje dhe spekulime

Pas këtyre deklaratave, reagoi edhe vajza e kryeministrit, e cila thotë se “Në përpjekjet e tij për të mbuluar shkeljet flagrante të ligjit, me vendimet e marra në konflikt interesi për lëshimin e lejes së ndërtimit të pallatit 5-katësh të bashkëshortes së tij Lindita Basha, me qëllim për të zhurmuar deklaratat e ndërtuesve të Tiranës, të cilët haptas e kanë akuzuar se u ka kërkuar miliona euro në shkëmbim të vendimmarrjes së tij publike, për lëshimin e lejeve të ndërtimit, z.Rama ka lëshuar arsenalin e tij me shpifje dhe spekulime ndaj aktivitetit tim privat avokator të 6 viteve më parë”.

Argita Malltezi, në deklaratën e saj, thotë se “Z.Rama, bëhesh qesharak kur kërkon t’i shpëtosh transparencës publike, duke krahasuar veprimtarinë time legjitime avokatore private me vendimmarrjen tënde publike. Çdo shqiptar e di se midis tarifave të mia avokatore, të vendosura sipas ligjit mbi avokatinë, dhe denoncimeve për gjobvënie në pozicionin e kryetarit të bashkisë nuk ka asgjë të përbashkët”.

Argita Malltezi thotë se “Biznesmeni në fjalë, si dhe çdo aktivitet tjetër, në të cilin jam angazhuar, ka qenë mbi investime me fonde private dhe jo me fonde shtetërore; toka e ofruar ka qenë private dhe pronari, sigurisht që e vendos vetë çmimin sipas tregut. Të gjitha të ardhurat e mia janë të deklaruara, transparente dhe të tatuara konform ligjeve në fuqi”, përfundon deklaratën Argita Malltezi.

Braçe: Argita të japë përgjigje

Pas deklaratës së zonjës Malltezi, reagoi deputeti Erjon Braçe, i cili tha se vajza e kryeministrit prapë nuk u pergjigj edhe pse mburet me transparencen.

Braçe thotë se e kerkon përgjigjen prej vajzës së kryeministrit për pyetjet se e kujt ishte kjo toke? “E jotja? Si e disponove ti? Në bazë të cilit ligj? Apo ishte e shtetit që duhet të administronte Babi, por qe ne fakt e sundon abuzivisht? Nëse është keshtu, atehere si e disponove ti? Po Damir Fazlliç, si i bleu 25 mijë metra katror?”, pyet serish Braçe.
 

Top Channel