Opozita akuzoi Qeverinë se dështimi i saj për të menaxhuar krizën
energjetike vë në rrezik të fortë buxhetin e vitit të ardhshëm, ende pa u
miratuar.

“Nëqoftëse përfaqësuesi i Qeverisë vjen edhe thotë që: ‘Po ka një gropë të madhe; po, është e thellë, por nuk e dimë se sa do të hedhim në këtë gropë’, ky buxhet, në rastin më të mirë të vet, është i pasigurtë”, tha deputeti socialist Arben Ahmetaj.

“Kanë filuar kufizimet energjisë elektrike, nga Tirana dhe pothuajse në çdo rreth të vendit. Ky është shqetësimi që unë kam dhe e gjitha po precipiton për shkak të gjendjes shumë të rëndë financiare që ka KESH-i”, tha deputeti tjetër socialist Erjon Braçe.

“Tashmë ndërprerja e energjisë elektrike i përket së shkuarës dhe është shumë më e rëndësishme për biznesin dhe për qytetarët që përgjatë gjithë periudhës së dimrit,furnizimi të jetë i rregull pavarësisht problemeve që hasen”, tha deputeti i PD-së, Edmond Spaho.

Gjendja e vështirë e financave publike ka rrudhur shpenzimet e Qeverisë edhe për sektorët prioritarë të ekonomisë.

“Ky buxhet ka arritur në pikën më të ulët. Nëqoftëse ka arritur në masën 28.4 përqind, ku mbështetja për Ministrinë e Arsimit është 2.7 për qind, për Shëndetësinë është 2.1 për qind, për Bujqësinë është 0.44 për qind, ka arritur në nivelin më të lartë kostoja e borxhit, ka një trend në rritje borxhi publik, atëherë ku shkohet?” tha deputeti socialist Arben Malaj.

“Fondet për bujqësinë për subvencionet dhe nxitjen e prodhimit bujqësor do të jenë mbi 1 miliardë lekë. Arsimi do të rritet në nivelin e 3.04 për qind të GDP-së dhe nëse do të shikojmë së bashku me shpenzimet që vendos sektori privat në fushën e arsimit jemi shumë më tepër se sa 3 për qind”, tha Spaho.

Debate të forta pati edhe për fondet e bashkive dhe komunave, një pjesë e madhe e të cilave janë në krizë financiare dhe prej disa muajsh nuk paguajnë rroga.

Por Qeveria thotë se faji për krizën financiare të njësive vendore u përket vetë komunave dhe bashkive.

“Ka qenë se ka patur njësi të qeverisjes vendore që kanë marrë detyrime më tepër sesa plani i tyre, se sa plani përkatës që ato kanë në të ardhura që duhet të vjelin dhe i transfertës së pakushtëzuar, atëherë jemi në shkelje të ligjit të menaxhimit financiar dhe të kontrollit”, tha Dorian Teliti, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave.

Buxheti i vitit të ardhshëm parashikon 409 miliardë lekë shpenzime ose rreth 28.4 për qind e Prodhimit Kombëtar.  
 

Top Channel