Banorët e fshatrave përreth Kukësit kanë përshkallëzuar protestën e tyre në lidhje me mungesën e energjisë elektrike.

Qindra protestues kanë dalë në rrugën nacionale në hyrje të qytetit të Kukësit duke vendosur sende mbi rrugë që coi në bllokimin e trafikut për disa minuta. Ata u shprehën të indinjuar nga mungesa e energjisë elektrike dhe deklaruan përshkallëzimin e mëtejshëm të protestës së tyre.

Forca të shumta policore mbërritën në vendngjarje për të shpërndarë protestuesit dhe për të zhbllokuar rrugën. Për disa momente pati tension mes policisë dhe banorëve që kërkojnë energji elektrike.

Sipas tyre, energjia u mungon prej 11 ditësh tashmë si pasojë e aksioneve të fundit të ndërmarra nga CEZ Shpërndarje për mbledhjen e faturave të prapambetura dhe shkëputjen e lidhjeve të paligjshme.

Top Channel