Ruçi e Balla në Strasburg, takime me zyrtarë

29/06/2012 00:00

Dy drejtuesit e lartë të PS-së, Gramoz Ruçi dhe Taulant Balla kanë
shkuar në Strasburg për të zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të
KiE-së dhe KE-së në lidhje me situatën politike në Shqipëri pas
zgjedhjes së Presidentit të vendit nga radhët e mazhorancës.

Shqipëria aktualisht po përjeton dhe një ngërç politik për sa u përket reformave, asaj parlamentare dhe zgjedhore. Deputetët e opozitës në seancën e së enjtes i kanë kushtuar vëmendje të madhe situatës së rendit në Shqipëri.

Deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, tha në fjalën e tij se “raporti më i fundit për Trafikimin e Personave shprehet se “Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush standardet minimale për eliminimin e trafikut”.

“Prandaj, kolegë, këta që sot vetëquhen klasë drejtuese politike nuk janë gjë tjetër veçse një kastë bufonësh të fryrë nga politika e keqe që ka zaptuar tërë shoqërinë. Një kastë e cila luan tango herë Basha e Berisha, herë Zeni e Delijorgji, herë Ridvani e Zamiri, herë Muli e Nishani, herë Berisha e Taçi herë Luli e Fahriu, herë kunati e vëllai e kështu pafund. Sot është koha për veprim. Kjo kastë duhet hequr qafe”, tha Gjoni.

Ndërsa socialisti Bushati theksoi se “Vihet në lëvizje e gjithë administrata e kunatit, duke nisur nga mazhordomi që është në krye të bashkisë, kunati, prefekti, administratori i përgjithshëm, biznesi privat, ministri i Ekonomisë, drejtori i konvikteve, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të pronave, i cili për hir të së vërtetës ka bërë një korrespondencë më elegante, se nuk ka konfirmuar, as mohuar, në rast se në prona që është konvikt sot për sot është apo nuk është një konflikt pronësie. Ku do të shkojnë 100 studentët që janë aty? Pse një pronë që është pronë publike dhe pse arsimi publik po tjetërsohet dhe po kthehet në një pronë që do të përdoret nga një biznes privat?”.

Top Channel