Inaugurohet HEC-i i Tërvolit

22/06/2012 20:20

Ndërtimi i një hidrocentrali tjetër e ka çuar kryeministrin Sali Berisha në rrethin e Gramshit, një nga zonat më të thella të vendit. Atje u inaugurua hidrocentrali i Tërvolit, një investim privat shqiptar me vlerë 8 milionë euro.

Hidrocentrali me një  fuqi të instaluar prej 12 MegaWat është llogaritur të ketë një prodhim vjetor të energjise elektrike 40.000 kWh. Kryeministri Berisha vlerësoi faktin se ndër 14 hidrocentrale të vegjël që po ndërtohen në rrethin e Gramshit, i pasur me burime ujore, hidrocentrali i Tërvolit është vënë në funksionim pas hapjes së një tuneli prej 3 kilometrash, ndër më të gjatët e veprave hidrike të ndërtuara deri tani në vend.

Për të arritur sa më shpejt objektivin e qeverisë së tij për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi të energjisë së rinovueshme në rajon, kryeministri Berisha u bëri një premtim joshës banorëve të komunave të pasura me burime hidrike, kur u bëri thirrje atyre të bashkëveprojnë si komunitet për të projektuar dhe ndërtuar vepra të vogla energjitike.

“Qeveria do të firmosë me ta, që të kenë energji falas për të gjithë kohën që ata do të nxjerrin shpenzimet e ndërtimit. Qeveria do të garantojë blerjen me çmim tregu të të gjithë energjisë së tepërt që atyre nuk u duhet për fshatin apo fshatrat e tyre”, theksoi Berisha.
 
Kryeministri Berisha tha se kjo nismë po ushtrohet prej disa vitesh në shtetin e pasur të Zvicrës nga komunitetet që jetojnë në fshatra dhe sipas kreut të qeverisë, ky model duhet ndjekur edhe në Shqipëri: “Ndaj edhe ne, një vend me një terren shumë më malor se Zvicra, me ujëra pa fund, le të nisim këtë nismë. Komunitetet lokale kudo që janë të bashkohen e të ndërtojnë hidrocentrale të vogla për të marrë falas, për të marrë energji me çmim të leverdishëm, për të shitur energji me çmimin e tregut e për të ndarë fitimet e saj.”

Këto inaugurime hidrocentralesh, i dyti brenda një jave, kryeministri Berisha duket se po i shfrytëzon edhe për t’u takuar me banorët e zonave dhe kur ka mbetur më pak se një vit nga nisja e fushatës elektorale, kryeministri nuk i kurseu premtimet për rritjen e investimeve.
 
“Dua t’ju garantoj se kudo që jeni në këto komuna, kudo që ndodheni në zonat midis Librazhdit, Peshkopisë apo midis Mirditës, Kukësit e Peshkopisë, në çdo vend, ne do të vijmë tek ju, do t’ju ndërtojmë rrugët, shkollat e qendrat shëndetësore, do t’ju ndërtojmë kushtet jetësore që ekzistojnë në lagjet e qyteteve tona. Të tjerat do t’i ndërtoni ju, me mundin, djersën e përkushtimin tuaj”, u shpreh kryeministri.

Në rrethin e Gramshit pritet të nisë në një të ardhme të afërt edhe ndërtimi i kaskadës së Devollit që kryeministri e cilësoi si veprën më të madhe energjitike të ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri.  Puna do të nisë vitin e ardhshëm pasi të jenë mbyllur edhe detajet e kontratës.
Sipas kryeministrit Berisha, kjo vepër, ku do të punësohen rreth 5 mijë banorë të Gramshit, është projektuar të ketë tre hidrocentrale dhe si projekti më i madh energjitik që ndërtohet aktualisht në Europë, në kaskadën e Devollit pritet të investohen mbi 1 miliardë euro.

Top Channel