Pavarësisht se Italia drejtohet nga një qeveri teknike, vendi fqinj, anëtar i Bashkimit Europian, nuk ka ndryshuar politikën e tij konstatnte në mbështetje të Shqipërisë.

Kryeministri italian Mario Monti ia konfirmoi këtë kryeministrit Sali Berisha gjatë një vizite zyrtare që shefi i qeverisë shqiptare zhvilloi në Romë.

Përsa i përket përkrahjes politike për integrimin europian të vendit, kryeministri Monti nuk la vend për hamendësime, por vlerësoi si shumë të rëndësishëm forcimin e bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës.

“I kam shprehur vlerësimin tim kryeministrit Berisha për të gjitha përpjekjet e kryera nga ana e qeverisë shqiptare për nisjen e paketës së reformave të duhura drejt rrugës së afrimit me Bashkimin Europian. Gjithashtu, është i domosdoshëm një vullnet i vendosur politik dhe një përkushtim konstant si nga ana e qeverisë, ashtu dhe nga ana e opozitës për t’i lejuar Shqipërisë të kryejë progres të mëtejshëm, i cili kërkohet për përmbushjen e qëllimeve nga Bashkimi Europian. Kam konfirmuar se përsa i përket qeverisë italiane, ne do të mbajmë angazhimin tonë konstant dhe të fortë në favor të perspektivës europiane të Shqipërisë”, deklaroi Monti.

“Diskutuam për bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe një theks të veçantë u vu në mbështetjen e Italisë për integrimin Europian, mbështetje, e cila ka qenë gjithnjë shumë e fuqishme. Unë, duke falenderuar shumë kryeministrin për këtë mbështetje, e sigurova që ne e marrim këtë si një proçes të bazuar kryekëput në meritën dhe performancën”, tha nga ana tjetër kryeministri Berisha.

Të dy kryeministrat, të cilët kanë njohje të vjetër për shkak të funksioneve që kanë mbajtur më parë, u shprehën të kënaqur për nivelin e marrëdhënieve dypalëshe, duke u angazhuar që të nxisin më tej bashkëpunimin ekonomik.

Italia vazhdon të mbajë vendin e parë si partner ekonomik për Shqipërinë dhe shkëmbimet tregtare, siç tha kryeministri italian, vazhdojnë të shënojnë rritje. Po ashtu, edhe ndihma financiare me anë të së cilës Italia mbështet projektet e zhvillimit të Shqipërisë.

“Pavarësisht nevojës në vazhdimësi të Italisë për të mbajtur nën kontroll shpenzimet publike, aktiviteti i Kooperacionit për Zhvillim në Shqipëri vazhdon të jetë i konsiderueshem”, tha më tej Monti.

“Shqipëria çdo ditë dhe me shumë bëhet një partner i këtij vendi  të madh dhe unë ju garantoj se çdo vit e më shumë do të bëhet një partner i rëndësishëm e me potencialet e saj”, theksoi Berisha.

Të dy kryeministrat ndanë të njëjtin vlerësim për komunitetin shqiptar që jeton në Itali, i dyti për nga madhësia, një komunitet vital prej rreth 500 mijë personash dhe siç e vlerësoi kryeministri Monti, një nga komunitetet më mirë të integruar në Itali.

Gjatë qëndrimit në Romë kryeministri Berisha u prit edhe nga presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano, i cili vlerësoi se sindroma e paragjykimeve ndaj shqiptarëve në Itali është tërësisht e tejkaluar.

Gjithashtu, presidenti Napolitano veçoi si shumë të rëndësishëm pozitën ekonomike të Shqipërisë, e cila siç tha ai, vazhdon të shënojë rritje, megjithë krizën disavjeçare botërore.

Top Channel