Sfida arsimore e Shqipërisë moderne

27/02/2012 00:00

Dorian Koçi – Gjithkujt që mund t’i ketë rënë rasti të ketë punuar në arsimin e lartë, do të ketë vënë re që një nga aspektet më problematike të edukimit të përgjithshëm të studentëve është mungesa e theksuar e një kulture të përgjithshme.

Kjo mungesë kulture e përgjithshme demonstrohet më tepër në fushat e historisë dhe letërsisë, dy fusha që ndikojnë më së tepërmi në krijimin dhe formësimin e identitetit kulturor kombëtar. Personalitete, ngjarje dhe data të rëndësishme të historisë së shqiptarëve dhe botërore, momente të rëndësishme të mendimit kulturor e filozofik të kohës, si Rilindja Europiane, Iluminizmi e Revolucioni Industrial, njihen përciptas ose nuk njihen fare, duke krijuar një pengesë të madhe për ata që vazhdojnë studimet universitare, pasi u duhet që të përballojnë një ngarkesë më të madhe sesa e zakonshmja për të ndjekur leksionet. Ky realitet i trishtë, që në fakt nuk vështirëson vetëm punën e lektorëve, por është dhe një pengesë serioze për vetë studentët, zakonisht i faturohet nivelit të dobët të arsimimit në arsimin parauniversitar në Shqipëri. Arsyeja që përmendet ka një pjesë të vërtete brenda saj, pasi në këto 20 vjet tranzicion, ku janë ndërmarrë reforma nga më të ndryshmet, ku zakonisht ato kanë kundërshtuar njëra-tjetrën dhe nuk kanë qenë në mënyrë lineare, sërish problemi është më i thellë sesa një mospërputhje reformash. Probleme të tilla ka pasur gjithmonë arsimi shqiptar edhe gjatë kohës së diktaturës, ku sa herë ndryshoheshin miqësitë politike “reformohej” dhe arsimi për t’i përngjarë miqësisë së radhës. Për më tepër dija cungohej përmes labirintit të së lejuarës dhe të mos lejuarës, ku nxënësi shqiptar ishte ai që dilte më i humburi, pasi mund të njihte mirë filozofinë marksiste, por jo filozofët kundërshtarë të saj, apo mund të njihte mirë letërsinë klasike me problematikën e saj të nxjerrjes në pah të problemeve të shoqërisë së hershme kapitaliste, por jo rrymat moderne në letërsi dhe art që pasqyronin dilemat dhe ankthet e njeriut në shoqëritë moderne. Mirëpo nëse kjo gjë është e kuptueshme të ndodhte në edukimin gjatë diktaturës që moton latine “Bëhu i ditur të jesh i lirë” e kishte zëvendësuar me moton e nënkuptuar “Mëso sa të duhet dhe mos pyet për ato që s’duhen” është një paradoks që në kohët e sotme të lirisë politike dhe lirisë ekonomike studentët shqiptarë të demonstrojnë një dobësi të theksuar në akumulimin e këtyre dijeve. Arsyet janë pak më të thjeshta në fakt sesa respektimi i njërës filozofi mendimi apo tjetre. Ashtu si edhe fushat e tjera, arsimi nuk i ka shpëtuar zvetënimit të vlerave që duhet të përmbajë, duke krijuar një moçal antivlerash ku kanë lulëzuar dhe po lulëzojnë vemjet e politikës së përditshme shqiptare. Shumë studentë, pyetjeve tona rreth një shkrimtari të njohur apo një vepre të njohur i përgjigjen lehtë me një ngritje supesh dhe në vend të tyre na përmendin emra autorësh provincialë të panjohur dhe vepra letrare të dobëta të gjinive si përmbledhje poetike apo fjalësh të urta. Pas gjithë kësaj paditurie të frikshme nuk qëndron faji dhe dobësia e nxënësve tanë, por një lojë e ndyrë dhe burracake që është luajtur në kurriz të tyre.

Së pari, stafi arsimor i përzgjedhur shpeshherë nuk u përgjigjet kërkesave të kohës dhe nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar numrin e nxënësve në të gjitha shkollat e vendit. Emërimet e mësueseve varen nga drejtoritë arsimore të rretheve, të cilat janë kthyer në pazare të zakonshme mes partive në skemat elektorale të koalicioneve që ndërtohen. Kreu i këtyre zyrave ka kompetencën e plotë për të bërë lëvizjet e ndryshme të arsimtarëve nga një shkollë në tjetrën dhe madje të influencojë edhe në caktimin e literaturës së detyruar shtesë, krahas asaj të Ministrisë së Arsimit për nxënësit. Kjo është arsyeja që nxënësit shpeshherë njohin më mirë shkrimtarë shqiptarë të nivelit mesatar apo debutues për herë të parë në letërsi sesa shkrimtarët e afirmuar dhe të talentuar. Së dyti, lënia në dorë e drejtorive të shkollave për të zgjedhur tekstin mes tre të tilla që fitojnë tenderin nuk krijon një uniformitet në arsimin kombëtar, por një fragmentizim të dëmshëm, pasi nxënësit e njërës shkollë mund të njohin mirë ngjarje dhe data apo shkrimtarë dhe vepra që janë pasqyruar në tekstin e tyre, por jo dhe ato që janë pasqyruar në tekstin që përdor shkolla fqinje. Si rezultat, dija që përftohet në auditorët e shkollave të mesme nuk është më e mira e mundshme, por një mozaik dijesh që i mungojnë disa guralecë themelorë.

Arsimi është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të një kombi, ndaj kërkohet që ai të pastrohet sa më parë nga infeksionet e politikës dhe të shëndoshet për t’i dhënë më të mirën e mundshme në zhvillimin e vendit. Shoqëria civile, si një pol i tretë e painteresuar për politikën e ditës, por shumë e interesuar për shëndoshjen e jetës publike në vend, ku njerëzit e mirarsimuar japin një kontribut të veçantë, ka dalë tashmë së fundi nëpërmjet grupimit të Alternativës Civile me një propozim konkret për sa i përket zgjedhjes së drejtorit të drejtorisë arsimore në vend dhe drejtorëve të shkollave. Propozimi konsiston në faktin që autoritetet drejtuese të zgjidhen nga nxënësit dhe komuniteti i prindërve, duke forcuar kështu së shumti mekanizmat demokratikë të shoqërisë. Politika zyrtare e të gjitha spektrave dhe rrymave duhet ta dëgjojë këtë zë dhe ta marrë parasysh, pasi në këtë mënyrë jo vetëm kontribuon në shëndoshjen e performancës arsimore në Shqipëri, por dhe vetë shpëton nga një e keqe që po i merr frymën, siç është ajo e emërimeve nepotike dhe shpërblyese për militantët. Një nga mekanizmat më efektivë në luftën kundër korrupsionit, si është provuar deri më tash, është shkurtimi i sa më shumë procedurave që e favorizojnë atë, ndaj miratimi i këtij propozimi nga shoqëria civile do të kontribuonte në një nga qëllimet dhe sfidat që ka vendi ynë në kuadër të integrimit europian.

Rreth 130 vjet më parë, në vitet e stuhishme të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, këshilla që u jepnin delegacionit shqiptar të kryesuar nga Abdyl Frashëri që vizitonte kryeqytetet e Fuqive të Mëdha për të siguruar njohjen diplomatike të kombit shqiptar, ishte se duhej të krijonin një rrjet shkollash shqip që do të përbënin bazën e arsimit kombëtar dhe do t’i ndihmonte shqiptarët të emancipoheshin si komb. Sot, që ne prej kohësh e kemi zgjidhur këtë sfidë, Europa përmes mosnjohjes së diplomave të universiteteve tona po na këshillon tërthorazi se duhet të fillojmë të ndërmarrim reformat e duhura për t’u barazuar dhe nga ana arsimore me qytetarët e tjerë europianë. Sfida sërish mbetet e jona dhe ne duhet të fillojmë seriozisht të punojmë për të. Audo Sapere-“Guxo të jesh i ditur”, thotë poeti latin Horaci në “Epistolarët” e tij, dhe shoqëria e politika shqiptare duhet të fillojë të guxojë.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel