Zgjedhjet (e parakohshme?) dhe hesapet e palëve

13/02/2012 00:00

Mustafa Nano – Ka zëra që thonë se Berisha nuk e mbyll dot këtë vit. Ca zëra të tjerë
thonë se është Berisha vetë që mund të shpallë zgjedhje të parakohshme,
pasi vetëm kështu do të mund të evitonte dëmin që mund t’i vinte prej
partive të Topit e të Spahiut; këta të fundit, edhe në rastin e një
fiasco-je, do t’i bënin një gërryerje elektoratit të djathtë (Topi si
njeri i të djathtës, dhe Spahiu si nacionalist putativ).

Në fakt, kjo do ish një lëvizje e zgjuar e Berishës, por ky i fundit nuk shquhet për lëvizje preventive. Lëvizjet preventive kërkojnë rëndom të heqësh dorë prej qarit të vogël të momentit në mënyrë që të shmangësh një qeder të madh të së nesërmes, dhe Berisha ka dëshmuar vazhdimisht se ai i refuzon arsyetimet apo hesapet që priren t’i sugjerojnë të heqë dorë nga çfarë ka sot në emër të një aveniri më të sigurt nesër. E kështu, ka pak gjasa që ai të shpallë zgjedhje të parakohshme. Mënyra të tjera për të bërë zgjedhje të parakohshme nuk duket se ka. Veç në u zgjoftë një ditë papritur e me tërsëllëm prokuroria, e të kërkojë hetimin e tij si përgjegjës të vetëm për 21 janarin. Por edhe kjo ngjarje nuk është e thënë të provokojë zgjedhje të parakohshme. Berisha, n’daç për shkak të postit, n’daç për shkak të fuqisë për ta destabilizuar këtë vend (i ka rënë kjo fuqi, por prapëseprapë mbahet), ‘e ka në dorë’ ta pengojë një hetim të tillë. Prandaj, i bie që zgjedhje të parakohshme të mos kemi, nëse Berisha nuk i do ato.

Por sido që të ndodhë, të gjithë janë duke u përgatitur për zgjedhje. Berisha i pari, i cili s’e ka të vështirë të kuptojë se në rrethanat e reja mund ta shpëtojë – përveç manipulimeve që planifikon të bëjë, por që janë të pamjaftueshme – një alkimi elektorale. Me fjalë të tjera, ai duhet të synojë të mbledhë pas vetes e larg çdo principi të gjithë ata që mund t’i mbledhë, duke pranuar kushtet që mund t’i vënë. Ai të njëjtën gjë ka bërë dhe deri më sot (koalicioni me Ilir Metën kategorizohet pikërisht tek kjo alkimi), por tani do ta shtrijë ‘llastikun’ deri atje ku nuk mban më. Në këtë kuadër, nuk kemi pse të çuditemi, nëse nesër Berisha tenton një riafrim të Bamir Topit apo të Kreshnik Spahiut. Por deri sa të arrijë në këtë pikë, ai po ndjell të tjerë, dhe mjetet e ndjelljes i ka pa hesap sa kohë është kryeministër. Çamët i futi në xhep. I gënjeu me ca karamele zv/ministrash e drejtorësh. Do jemi dëshmitarë se si Idrizi e të vetët do flasin gjithnjë e më pak për kauzën e tyre, dhe kjo do ndodhë ca prej skrupujve që u vijnë vetvetiu prej pjesëmarrjes në koalicionin qeverisës, e ca prej faktit që, me të hapur gojën për hallin historik të çamëve, do jetë Berisha që do t’u thotë: “shiko, nuk është momenti tani”; dhe goja do t’u mbyllet.

Partia tjetër që është afër bashkëpunimit është ajo për Zhvillim Kombëtar e Dash Shehit. Pritej, e besohej, se ky i fundit mund të bashkëpunonte me Topin (në mos tjetër, si “tiranas të djathtë”), por emri i Dash Shehit nuk është në listën e atyre që duan të themelojnë lëvizjen e re. Nëse nuk ndodh një afrim i Topit me Shehin (ka shumë pak gjasa që të ndodhë), ky i fundit nuk do mendohet dy herë përballë kërkesës së Berishës. Dhe kjo kërkesë ka për të ardhur, e ka për t’u konkretizuar, se s’bën në momentin e duhur. Nuk kemi pse të çuditemi. Dash Shehi s’ka qenë kurrë kaq afër Berishës pas vitit 1997. Në zgjedhjet e fundit lokale ai u rreshtua hapur në favor të Bashës, dhe nuk do shumë mend të kuptohet se pa votat e LZHK-së, Lul Basha nuk do kish hyrë në zyrën që mban tani. Shehi kish thënë dje në “Gazetën Shqiptare”, se nuk i interesojnë postet që mund të shpërndajë pushteti, por në të njëjtën intervistë linte të kuptohej se e vetmja aleancë që mund të bënte është ajo me PD-në.

Mjafton me kaq? Jo, afërmendsh jo. Edhe sikur Berisha të bindet se i mjaftojnë këto dy prurje të reja, ai nuk do reshtë me vardisjet e veta. Ai është si një hamshor i uritur, të cilit asnjë lëneshë nuk ka arsye t’i thotë jo. Dhe lënesha e radhës mund të jetë Nard Ndoka, i cili e lëshoi sinjalin ca ditë më parë. Bëri me dijë se, “nëse s’merret vesh me socialistët, edhe mund të hidhet në krahun tjetër” (si është bërë politika shqiptare! Të vjen turp dhe t’i komentosh të tilla gjëra). Në momentin e duhur, Berisha do ta thërresë në një takim në zyrën e kryeministrit, dhe pasi kamerat të mbarojnë punë, do t’i thotë: “Je i kënaqur me dy zv/ministra e 5 drejtorë? Për më shumë flasim pas zgjedhjeve”. Nard Ndoka do të thotë: OK.

Edi Rama në krahun tjetër nuk po ecën kësaj linje. Pse? Sepse së pari ai nuk ia thotë shumë për aritmetikë, së dyti ai nuk di të bëjë alkimira, dhe së treti – kjo vlen më së shumti – ai ka shpresë tek faktori Topi-Spahiu. Nuk i sheh ai aleatë të vetët nesër, por i sheh si njerëzit që do t’i bëjnë varrin Berishës. Mirëpo, harron se Berisha e di këtë gjë më mirë se Rama. Dhe do bëjë çmos t’i neutralizojë si faktorë, ose duke i sulmuar egërsisht (këtë po bën tani, por nuk duket se është mënyra më e mirë për t’i luftuar; madje, sulmi i egër ka bërë efektin e kundërt), ose duke u nxjerrë të palara që ai ua di, e që ai mund t’ua sajojë, ose duke i bërë miq e aleatë para zgjedhjeve. Kjo e fundit duket e pabesueshme sot, por Berisha ka treguar se mund t’i bëjë të gjitha. Sidomos tani që është më shumë se kurrë në hall.

Në këto rrethana, është mendjelehtësi e opozitës t’i mbështesë shpresat vetëm tek “agjentët” e huaj. Alkimia elektorale, të cilën Berisha e ka si atout-në e vet (është karta e fundit që mund të luajë) meriton një strategji tjetër të opozitës. Mirëpo, Rama nuk po jep shenja se ka ndërmend të ndryshojë ndonjë gjë (përveç një fokusimi programor). Ai do futet në zgjedhje kështu siç është, në pritje të reformës elektorale (që mund të minimizonte mundësitë e pushtetit për të bërë manipulime), në pritje të forcimit të Topi-Spahiut, e në pritje që Berisha të bëjë harakiri. Kjo mund të qëllojë të jetë “alamet strategjie” për Ramën (po, Berisha mund të bëjë harakiri), por mund të qëllojë të jetë edhe një “lojë me zjarrin” për shqiptarët.

Gazeta “Shqip”

Top Channel