Sarandë, konfiskohen 127 kg kanabis

01/11/2011 10:30

Policia në qytetin e Sarandës ka sekuestruar mëngjesin e së martës një sasi prej 127 kilogramësh lënde narkotike të tipit kanabis sativa.

Sipas informacioneve të fundit, sasia e drogës është gjetur në një makinë me targa Tirane, drejtuesi i të cilës është arrestuar.

Autoritetet policore lokale njoftojnë se personi në fjalë është një qytetar nga Fieri, i cili e kishte fshehur drogën në bagazhin e automjetit.

Burimet shtojnë më tej se agjentët e seksionit të anti-drogës po zhvillojnë hetime për të zbardhur itinerarin e lëndës narkotike dhe destinacionin e saj.

Javën e kaluar policia e Tiranës dhe njësia speciale operacionale goditën një grup që u kap gjatë tentativës për të futur në Tiranë ngarkesë kanabis sativa, i destinuar për t’u shpërndarë në tregun e brendshëm të kryeqytetit.

Katër persona u arrestuan në kushtet e flagrancës pas aplikimeve të metodave speciale të hetimit, mes të cilave përgjime telefonike, vëzhgim me agjentë dhe filmime në distancë. Në përfundim të operacionit policor u kapën me 120 kilogramë lëndë narkotike e të njëjtit lloj.

Po javën e kaluar, mbrëmjen e së shtunës, policia maqedonase konfiskoi 10 kilogramë heroinë me cilësi të lartë në vendkalimin kufitar të Qafë-Thanës, mes Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Top Channel