Berisha: Patozi, mandat për të takuar Rucin

12/07/2010 13:45

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se kryetari i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi ka mandatin e plotë që të takojë kreun e grupit socialist Gramoz Ruci për të diskutuar për konkretizimin e rezolutës së Parlamentit Evropian.

Berisha shprehu garancinë se mazhoranca ka vullnetin e plotë për zbatimin e rezolutës.

“Nëse opozita kërkon ta riformulojë komisionin hetimor për zgjedhjet, ne nuk kemi asnjë kundërshtim. Nëse ajo kërkon rinumërimin e votave, mund të realizohet vetëm në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të këtij vendi”, u shpreh Berisha, në mbledhjen e grupit demokrat.

Sipas shefit të qeverisë, mazhoranca është e vendosur për ta zbatuar me përpikmëri rezolutën dhe theksoi se nëse opozita dëshiron rinumërimin mund t’i drejtohet gjykatave shqiptare dhe më pas asaj të Strasburgut.

“Shpresoj dhe uroj që të nisim punën për zgjedhjet e ardhshme, të hartohen amendamentet prej opozitës në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it. Ne jemi gati t’i votojmë ato dhe të shkojmë drejt zgjedhjeve të ardhshme”, u shpreh Berisha.

Top Channel