Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar në një apartament në qytetin e Elbasanit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesë.

Si pasojë e shpërthimit, raportohet se janë shembur muret e apartamentit dhe shkallët e pallatit. Një grua 83-vjeçare, e cila jetonte në apartamentin ngjitur ka ndërruar jetë. Në ndihmë kanë ardhur edhe zjarrfikës nga Tirana.

Menjëherë pas ngjarjes, ka nisur evakuimi emergjent i banorëve të ndërtesës, raporton korrespondentja e Top Channel, Bruna Kërçyku.

Forcat zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po bëjnë të mundur nxjerrjen e banorëve, duke ndërhyrë përmes shkallëve të emergjencës së zjarrfikësve.

E gjithë godina është evakuuar, ndërsa 8 persona kanë mbetur të asfiksuar si pasojë e ngjarjes. Sipas informacioneve paraprake, personat e asfiksuar janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, ekipet e emergjencës ende nuk kanë mundur të hyjnë në apartamentin ku ndodhi shpërthimi, pasi aty vijon të ketë zjarr.

Në vendngjarje vijojnë operacionet e emergjencës, ndërsa priten të dhëna të tjera për shkaqet dhe pasojat e shpërthimit.

Top Channel