Shpërthimi në Elbasan shkatërroi, tre kate të pallatit janë bashkuar me njëri-tjetrin, ndërtesa tashmë e pabanueshme Banorët e zonës ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm në një apartament në Elbasan kanë rrëfyer momentet e frikës dhe panikut që përjetuan. Ata tregojnë se shpërthimi ishte tepër i fortë, ndërsa dëmet në ndërtesë janë të konsiderueshme.
Një prej banorëve, i cili jeton në pallatin ngjitur, e përshkroi shpërthimin si një zhurmë të ngjashme me atë të një bombe. Një banor i prekur ka treguar se është hedhur nga ballkoni, teksa edhe dera e ballkonit i ka rënë në kokë.
“Kam gjysmë ore që kam dalë (tregon shenjat e lëndimeve). Më ra në kokë dera e ballkonit, djali po vinte nga shkolla. Djali bërtiste. Imagjino të dëgjosh fëmijën të thotë ‘Ndihmë!’ dhe të mos dilja dot. U hodha nga ballkoni më pas. Dëmi është deri në 80 milionë lekë. Para një muaji i hodha prapë lekë”, tha banori i ndërtesës së prekur.
Fqinjët u shprehën:
“Jetoj te pallati tjetër. Ishte një shpërthim shumë i madh, si bombë. Nuk e di nëse ka të lënduar”.
“Shtëpinë e kam këtu afër. E dëgjuam shpërthimin, ishte diçka e madhe. Erdhëm këtu dhe pamë se ajo ishte shembur. Nuk e dimë se çfarë ka qenë. Erdhi policia dhe zjarrfikëset. Ishte edhe vendi i ngushtë, ku nuk hyn dot asgjë”.
“Ishte e tmerrshme, ishte një shpërthim i fuqishëm. Nga sa shohim, dëmi është i madh. E frikshme ajo që shohim”.
“U trondit shtëpia, shumë i madh ishte shpërthimi. Ne po rrinim dhe thamë: ‘Çfarë u bë?’ Shumë e frikshme.”
Top Channel