Obama reagon pas fitores së demokratëve në zgjedhjet e mes mandatit: Amerikanët duan politikë që bashkon, jo që përçan

04/11/2026 08:50

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, duke theksuar se qytetarët amerikanë kërkojnë një politikë që bashkon dhe jo që përçan, si dhe udhëheqës që ofrojnë zgjidhje konkrete për problemet e tyre.

Në reagimin e tij, Obama vlerësoi kandidatët demokratë, të cilët arritën rezultate të rëndësishme në disa zona të vendit, përfshirë edhe ato që më parë konsideroheshin të vështira për t’u fituar.

“Son­te, populli amerikan dha një mesazh të qartë: ata duan një politikë që bashkon njerëzit, jo që i ndan, dhe drejtues që ofrojnë zgjidhje konkrete për sfidat me të cilat përballen. Këto rezultate u arritën falë kandidatëve të jashtëzakonshëm që garuan në çdo cep të vendit, përfshirë edhe zonat që dikur konsideroheshin të vështira për t’u fituar. Ata kishin prejardhje dhe bindje të ndryshme politike, por i bashkonte besimi te shërbimi publik dhe angazhimi për të vendosur në plan të parë interesat e qytetarëve që përfaqësojnë”, u shpreh Obama.

Ish-presidenti u ndal edhe te hapat që demokratët duhet të ndërmarrin në vijim, duke theksuar nevojën për të shfrytëzuar mundësitë që kanë për të sjellë ndryshime dhe për të kufizuar pasojat e politikave të administratës aktuale.

“Ndërsa kësaj administrate i kanë mbetur edhe dy vite në detyrë, detyra jonë tani është të angazhohemi, të bëjmë ndryshime aty ku kemi mundësi, të parandalojmë dëme të mëtejshme dhe të përgatisim terrenin për të ardhmen”, deklaroi ai.

Në fund, Obama shprehu mirënjohjen për zyrtarët dhe vullnetarët që kontribuuan në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pavarësisht përkatësisë së tyre partiake.

“Duhet të jemi gjithashtu mirënjohës ndaj mijëra zyrtarëve zgjedhorë dhe vullnetarëve nga të dyja partitë, të cilët ndihmuan që zgjedhjet të zhvilloheshin pa probleme dhe përmbushën një nga detyrat më të rëndësishme të demokracisë sonë”, përfundoi Obama.

Top Channel