Kuvendi është mbledhur këtë të enjte në një seancë plenare, ku pritet të votohen projektbuxheti i vitit 2027 dhe paketa fiskale, ndërsa opozita ka paraqitur 40 amendamente.
Në rendin e ditës janë përfshirë edhe akti normativ për tubimet dhe gjobat ndaj protestuesve, si dhe lirimi nga detyra i kreut të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Nga 40 amendamentet e propozuara nga opozita, 28 janë paraqitur nga Partia Demokratike dhe kanë në fokus rritjen e pagave të ulëta dhe të mesme, shtimin e fondeve për pensionet, si dhe aplikimin e TVSH-së së reduktuar në 6% për ushqimet, produktet e tjera bazë, ujin dhe energjinë. Ndërkohë, Partia e Lirisë ka paraqitur 12 amendamente, të ndara në katër paketa që synojnë mbështetjen e rinisë, prodhimit vendas, sigurisë dhe mbrojtjes sociale.
Në axhendën e Kuvendit janë përfshirë gjithashtu projektligjet për tregjet e kriptoaseteve, donacionet dhe sponsorizimet, mbikëqyrjen shtesë të institucioneve financiare, kontabilitetin në sektorin publik dhe kontrollin e punimeve të ndërtimit.
Seanca është shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës për reformën zgjedhore. Partia Demokratike ka kërkuar zgjatjen e afatit të komisionit, ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka kundërshtuar marrjen peng të axhendës europiane pas datës 30 nëntor.
Përplasje ka pasur edhe për aktin normativ që parashikon ndryshime në rregullat për tubimet dhe masa ndëshkuese ndaj protestuesve. Deputeti demokrat Saimir Korreshi e ka cilësuar aktin si çnjerëzor dhe në kundërshtim me liritë themelore të njeriut, ndërsa Ina Zhupa ka akuzuar mazhorancën se po mbron dhunën e policisë, duke deklaruar se asnjë efektiv nuk është dënuar apo arrestuar.
Në përgjigje të opozitës, Taulant Balla ka akuzuar demokratët për dhunën në protesta, duke deklaruar: “E keni degjeneruar PD-në në një fabrikë të prodhimit të molotovëve! Demokracia ngrihet me votë, jo me dhunë”.
Ndërkohë, në rendin e ditës është përfshirë edhe lirimi nga detyra i kreut të AKEP-it. Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, drejtimi i institucionit do t’i besohet anëtarit më të vjetër.
Top Channel