Krim brenda familjes! Zbardhet ngjarja e rëndë në Bulqizë, viktima nuk u sulmua nga ariu, dyshohet se u vra nga bashkëshortja dhe djali (Detajet)

04/11/2026 15:20

Zbardhet ngjarja e rëndë e ndodhur në fshatin Godvi të Bulqizës, ku një 57-vjeçare dhe djali i saj 33-vjeçar janë arrestuar nga policia, pasi dyshohet se kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse kryefamiljarin, Urim Fiku 53 vjeç.

Fillimisht, familjarët kishin raportuar se viktima kishte humbur jetën pas sulmit nga një kafshë e egër, dyshohet ari. Por hetimet dhe ekzaminimet mjekoligjore zbuluan një tjetër version të ngjarjes, duke konfirmuar se viktima ishte vrarë me armë zjarri.

Pas hetimeve intensive, të zhvilluara nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur dokumentimi i ngjarjes së ndodhur më 3 nëntor 2026.

Në vijim, policia arrestoi Sadete Fiku, bashkëshortja e viktimës, dhe Gazmir Fiku, djali i tyre. Ata dyshohen se kanë bashkëpunuar në kryerjen e vrasjes.

Gjatë veprimeve hetimore, policia sekuestroi një pistoletë model 54, fishekë dhe një gëzhojë pistolete, e cila u gjet në oborrin e banesës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.

Top Channel