Një golfiste 15-vjeçare ka humbur jetën pasi u godit nga rrufeja në një fushë golfi në Tajlandë, ku aktiviteti sportiv vijonte pavarësisht stuhisë.

Adoleshentja, e identifikuar si Nong Leng, ndërroi jetë të hënën në mëngjes, pasi nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të rënda. Nga i njëjti incident mbeti i plagosur rëndë edhe një 31-vjeçar.

Sipas mediave tajlandeze, ngjarja ndodhi të dielën, kur rrufeja goditi fushën e golfit. Pas goditjes, 15-vjeçarja ra pa ndjenja në tokë dhe nuk shfaqte shenja jete. Ekipet e shpëtimit ndërhynë menjëherë, duke arritur ta rikthenin në jetë përmes reanimimit kardiopulmonar (CPR).

Ajo u transportua fillimisht në një spital aty pranë dhe më pas u transferua në një tjetër për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Rreth një orë pas incidentit, adoleshentja pësoi një atak kardiak dhe qëndroi gjatë gjithë natës nën kujdesin e mjekëve, por ndërroi jetë të hënën në mëngjes.

Lajmin e hidhur e bëri të ditur nëna e saj përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ndau edhe një mesazh prekës për të bijën. Ajo tregoi se babai i vajzës po kthehej nga jashtë shtetit për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Nong Leng ishte një golfiste e re dhe premtuese në Tajlandë. Ajo ishte anëtare e Shoqatës së Golfit për të Rinj të Tajlandës dhe kishte marrë pjesë në disa turne për të rinj. Në vitin 2026, kishte fituar edhe Kampionatin e Turit Aziatik për të Rinj.

Top Channel