“Kam bërë 7 kimioterapi, më presin edhe shumë të tjera”, stilistja Doruntina Lika rrëfen në lot betejën me tumorin: E neglizhova shëndetin për shkak të punës

02/11/2026 19:10

Stilistja dhe blogerja Doruntina Lika ka rrëfyer publikisht betejën e saj me tumorin, duke ndarë për herë të parë detaje nga momentet e vështira të diagnostikimit dhe trajtimit.

E ftauar në emisionin “Ftesë në 5”, ajo zbuloi se deri më tani ka kryer shtatë seanca kimioterapie dhe se e presin edhe nëntë të tjera.

Lika tregoi se shenjat e para i kishte vënë re pas lindjes së djalit të saj, por për një kohë të gjatë kishte shtyrë vizitën mjekësore, duke u përqendruar te puna dhe angazhimet profesionale.

“Rreth gjashtë muaj më parë ka filluar. Edhe ndërkohë që fëmijët janë të vegjël. Kam vajzën që është pesë vjeç edhe djalin që është dy vjeç. Kjo ndodhi fill pas gjithëdhënies time me djalin dhe aty fillova të dalloja shenjat e para. Domethënë pavarësisht se e neglizhova për një kohë shumë të gjatë. E kisha e kisha parë që nga fillimi, por që nuk e di, nuk doja ta pranoja mbase ose thjesht nuk doja ta përballja mbase atë vizitën ose e lashë pak edhe për rrethanat e punës që unë bëja dhe mendoj që lashë pak shëndetin pas dore duke u marrë me punën. Pasi i kryeva pak a shumë ato koleksionet e mia të gjitha, aty vendosa që tani do të shkoj të vizitohem, por uroj shumë që ky mos të jetë rasti i vajzave të tjera”, rrëfeu ajo.

Stilistja tregoi se vendosi të kryente kontrollet mjekësore vetëm pasi përfundoi angazhimet e saj profesionale, ndërsa një natë, pas një ëndrre që e kishte shqetësuar, vendosi të mos e shtynte më vizitën. Fatkeqësisht, frika e saj u konfirmua pas ekzaminimeve.

“Po e kisha ndjerë domethënë që në atë periudhë ndjeja që një shqetësim dhe një stres domethënë nga kjo gjëja, por prapë nuk e merrja guximin të shkoja të bëja një vizitë derisa një natë më doli një ëndërr dhe unë nuk e di pse besoj pak te këto te këto gjëra dhe besoj tek ëndrrat dhe gjatë natës u zgjova dhe vë dorën domethënë dhe e prek dhe aty kam vendosur që domethënë mendoj që është serioze po duhet të shkoj, trupi yt e ka ndjerë. Trupi yt e ka ndjerë atë gjë dhe e ka dhënë më në fund sinjalin dhe shkove. Po, u vërtetua dhe në ato momente domethënë gjëja e vetme që që doja, domethënë që ndjeva në ato momente, ishte që ndalon çdo gjë, ndalon çdo çdo plan që ti kishe për ditën e nesërme, stopohet çdo çdo plan që ti kishe për për ditën në vazhdim. të ndryshon komplet rutina, jeta, çdo gjë“, deklaroi ajo.

Ajo shpjegoi se diagnoza i ndryshoi tërësisht jetën, duke ndërprerë planet dhe rutinën e përditshme. Megjithatë, në këtë rrugëtim nuk ka qenë vetëm. Bashkëshorti i saj i ka qëndruar pranë në çdo vizitë dhe gjatë gjithë procesit të trajtimit.

“Zgjodha ta ndaj me ndjekësit sepse unë personalisht domethënë ndaja herë pas here me ndjekësit e mi në Instagram jetën time përditshmërinë time dhe normalisht preferova të mos e fshija dhe këtë pjesë time domethënë këtë situatë që po kaloj aktualisht edhe prandaj erdhi dhe postimi”, tha ajo.

Madje, për të shpjeguar ndryshimin e flokëve, ajo i ka thënë vajzës se mami i ka bërë për modë.

E pyetur se ku e gjen forcën për të vazhduar këtë betejë, Doruntina u shpreh se fëmijët janë motivimi i saj më i madh, së bashku me nënën dhe njerëzit që e duan.

Ajo tregoi se në ditët e para e kishte pyetur veten “pse mua?”, por më pas vendosi të mos e torturonte më veten me këtë pyetje dhe ta konsideronte situatën si një sfidë që do ta përballonte.

Në fund, Doruntina përcolli edhe një mesazh të rëndësishëm për gratë, duke theksuar se kontrollet shëndetësore nuk duhen shtyrë për shkak të punës apo angazhimeve të tjera. Sipas saj, kujdesi për shëndetin duhet të jetë prioritet dhe ndërgjegjësimi nuk duhet të kufizohet vetëm në muajin tetor, të njohur si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Top Channel