“Propagandë për protestën”/ Debatet në “Top Story”, Sulo: Njerëzit nuk dolën në shesh për vaj dhe makarona. Dudushi: Paketa fiskale, akt reflektimi i Ramës
I ftuar në emisionin “Top Story”, Dashamir Shehi ka komentuar paketën fiskale, duke shprehur skepticizëm për efektet e saj në ekonominë e qytetarëve dhe biznesin e vogël.
Sipas tij, masat e parashikuara përfaqësojnë një pjesë të vogël të buxhetit dhe nuk sjellin një ndryshim të qenësishëm në drejtimin social të politikave ekonomike.
Shehi argumenton se ulja e çmimeve nuk përkthehet domosdoshmërisht në përfitime reale për konsumatorët, pasi kostot e energjisë dhe transportit ndikojnë drejtpërdrejt në çmimet e tregut.
Ai paralajmëron gjithashtu se disa prej masave mund të dëmtojnë biznesin e vogël dhe të nxisin informalitetin, duke theksuar se fondet do të kishin ndikim më të drejtpërdrejtë nëse do të orientoheshin drejt sistemit të pensioneve.
“Buxheti i këtij viti po shkon në 10.1 miliardë euro, ndërsa kjo paketë rrotullohet rreth 250 milionë eurove. Pra, 250 milionë euro nga 10 miliardë euro përbëjnë 2.5%, nëse e shprehim me shifra të thjeshta.
Nëse brenda një buxheti që lëviz me 2.5% pretendohet se po bëhet një kthesë ideologjike, qoftë për të majtën apo për të djathtën, unë them se kjo nuk ka ndonjë vlerë të madhe. Nuk ka ndonjë efekt ideologjik. Është hedhur një gur në lumë dhe po bëhet një lloj propagande.
Kur më thonë se këtu është zgjidhja e problematikës sociale, unë them se, për këtë shifër, nuk ka ndonjë vlerë të madhe. Kam dyshimet e mia. Nuk po flas si politikan, por si njeri teknik, mendoj se edhe ato që janë konsideruar si masa nuk kanë për të qenë të vlefshme dhe as efektive.
Ti ke ulur me 6% taksat për të shpërblyerit, ndërsa ai 14% përfundon në xhepin e qytetarit? Kjo nuk është e vërtetë. Tregu ka ligjet e veta. Kjo shishe uji do të kushtojë përsëri po aq, sepse në koston reale, por edhe në mendjen e tregtarit dhe të konsumatorit, ndikojnë edhe faktorë të tjerë. Është rritur energjia, transporti dhe këto do të shkojnë ta gërryejnë atë 14%.
Megjithatë, unë e quaj pozitive, por nuk duhet të mbajmë shumë shpresa. Në të njëjtën kohë, kjo që fitohet këtu, në letër dhe për një periudhë të caktuar, shoqërohet me vendosjen e tatimit. Kjo do të dëmtojë biznesin e vogël dhe do të rrisë informalitetin.
Ka më shumë elemente propagande sesa transferim fondesh me një orientim social.
Po ik, jepi rreth 300 milionë euro sistemit të pensioneve, që të shkojnë drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve. Kjo kërkon kurajë politike. Këto janë cikërrima”, u shpreh ai.
Top Channel