Tashmë ardhja e Markus Krosche në bordin drejtues të Milanit është praktikisht e kryer, mungon vetëm zyrtarizimi. Por për këtë duhet pritur edhe pak, ndoshta fundin e vitit.

Të dyja palët prej kohësh po ‘flirtojnë’ mes tyre me Cardinalen që e ka bërë zgjedhjen e tij me Krosche që është i lirë pas dhënies së dorëheqjes nga posti i drejtorit sportiv të Eintrachtit të Frankfurtit. Marrëveshja në fakt është arritur si në aspektin financiar ashtu edhe për mënyrën e punës  dhe për pozicionin e 46 vjeçarit në organigramën e klubit.

Ajo që mbetet për t’u kuptuar në këtë pikë është si do të kalohet ‘muri’ i ngritur nga Eintrachti që në akordin e zgjidhjes se kontratës me Krosche fitoi garancinë për të marrë një dëmshpërblim me një vlerë 5-7 milionë euro që çdo klub duhet të derdhë për të nënshkruar me të përpara vitit 2027. Në këtë pikë, Milani është i palëkundur; kuqezinjtë nuk kanë ndërmend të derdhin miliona dhe në këtë moment kjo është pengesa më e madhe për të parë Krosche në rolin e Drejtorit Teknik të kuqezinjve.

Por nuk mbyllet me kaq, pasi është parashikuar edhe ardhja e një drejtori sportiv. Emrat që kanë qarkulluar janë të shumtë, por në pole position duket se është Timmo Hardung. Pjesë e Eintrachtit të Frankfurtit që nga 2021, Hardung tashmë 36 vjeçar, ka qenë krahu i djathtë i Krosche, por edhe këtu Milani duhet të përballet me pozicionin e klunbit gjerman. Eintrachti nuk i ka larguar ende të gjitha dyshimet dhe shumë do të varet nga ai pasuesi i Krosche dhe i përzgjedhuri duket se është Christoph Spycher, aktualisht te Young Boys. Eintrachti nuk e ka me ngut dhe i takon Milanit që të vendosë nëse do të ndjekë zhvillimet apo do të kërkojë diku tjetër.

Top Channel