Shtireshin si agjentë sportivë, ish futbollistët pezullohen dhe rrezikojnë dënim penal
Prindërit shqiptarë, dashuria për futbollin që në fëmijëri dhe debutimi me kombëtaren amerikane. Mesfushori i New York Red Bulls po konsiderohet si një nga talentet më premtuese të futbollit në Amerikën e Veriut.
Adri Mehmeti është vetëm 17 vjeç, por po përjeton një ngjitje të jashtëzakonshme në futbollin amerikan. Mesfushori i New York Red Bulls është shndërruar në titullar të skuadrës së tij dhe ka bërë tashmë edhe debutimin me kombëtaren e parë të Shteteve të Bashkuara. I qetë, i sigurt në vetvete dhe me një pjekuri që nuk përputhet me moshën, Mehmeti po tërheq vëmendjen si një nga talentet më premtuese të futbollit në Amerikën e Veriut. Në një intervistë për CNN Sports, ai pranon se gjithçka ka ndodhur më shpejt nga sa e kishte imagjinuar.
“Një vit isha te skuadra e dytë dhe vitin tjetër te ekipi i parë. Në fillim mendoja: ‘Uau, kjo është e pabesueshme’”, tregon ai, duke falënderuar trajnerët dhe stafin që i kanë besuar një rol të rëndësishëm, pavarësisht moshës së re.
Historia e Mehmetit me futbollin nis shumë herët. Ai kujton se filloi të godiste topin me të atin që kur ishte rreth dy vjeç, në oborrin e shtëpisë. Pikërisht aty lindi dashuria për lojën që sot është bërë pjesë e pandashme e jetës së tij. “Babai im ka qenë ndikimi më i madh, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Kemi luajtur me top çdo ditë në oborr dhe kjo më bëri të dashurohesha me futbollin”, rrëfen 17-vjeçari.
Të dy prindërit e tij janë me origjinë shqiptare, ndërsa i ati ka luajtur futboll edhe në rininë e tij, duke përfaqësuar Shqipërinë në nivelet e moshave. Kjo lidhje familjare me vendin e origjinës ka qenë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të mesfushorit, i cili më parë ka luajtur edhe me përfaqësueset e moshave të Shqipërisë. Megjithatë, karriera e tij mori një tjetër drejtim në arenën ndërkombëtare, pasi trajneri Mauricio Pochettino e grumbulloi me kombëtaren e parë të SHBA-së.
Mehmeti iu bashkua akademisë së New York Red Bulls në vitin 2019, kur ishte rreth 10 vjeç. Përparimi i tij ishte i shpejtë dhe në shkurt debutoi me ekipin e parë, në moshën 16-vjeçare. Në prill shënoi golin e tij të parë në Major League Soccer (MLS), kampionatin elitar amerikan.
Në shtator erdhi edhe momenti i madh në arenën ndërkombëtare. Mehmeti debutoi me kombëtaren e parë të SHBA-së në fitoren 4-1 ndaj Perusë, duke u aktivizuar në minutën e 88-të në vend të Tyler Adams, një tjetër futbollist që është formuar te New York Red Bulls. “Cilësia ishte shumë e lartë. Edhe në stërvitjet me lojtarë në hapësira të vogla, mund të dalloje intensitetin dhe shpejtësinë. Ishte një përvojë e shkëlqyer”, shprehet ai.
Pavarësisht se është bërë pjesë e futbollit profesionist dhe e kombëtares, Mehmeti vazhdon ende shkollën, duke ndjekur mësimet në distancë mes stërvitjeve dhe ndeshjeve. Madje, ai ende nuk ka patentë dhe shkon në stërvitje me makinën e nënës së tij.
Në kohën e lirë luan videolojëra dhe golf me shokët e skuadrës, por futbolli mbetet gjithmonë në qendër të vëmendjes. Ai analizon ndeshje dhe pamje të lojës së tij për të përmirësuar vazhdimisht performancën. Mes futbollistëve që admiron përmend Rodrin dhe Pedrin e Barcelonës, si edhe Elliot Andersonin e Manchester Cityt, të cilët i sheh si shembuj për t’u ndjekur.
Talenti i tij ka tërhequr interes edhe nga klube europiane, sipas raportimeve, ndërsa në SHBA shihet si pjesë e brezit të ri që mund të luajë një rol të rëndësishëm në të ardhmen e kombëtares. Për momentin, 17-vjeçari mbetet i përqendruar te New York Red Bulls, ku po ndërton hap pas hapi karrierën e tij. Fundjava e ardhshme do t’i rezervojë një tjetër sfidë të veçantë, përballjen me Inter Miami të Lionel Messit.
Nga një fëmijë që luante me të atin në oborrin e shtëpisë, Adri Mehmeti po hedh hapa të rëndësishëm drejt futbollit të madh. Dhe, siç e tregon vetë, këtë rrugëtim dëshiron ta përjetojë me të njëjtën buzëqeshje që e shoqëron çdo ditë.
Top Channel