Sulm ajror ndaj një miniere ari në Sudan pranë kufirit me Egjiptin, 72 të vrarë

12/10/2026 09:36

Të paktën 72 minatorë ari kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi ajror në veri të Sudanit, pranë kufirit me Egjiptin. Lajmi u bë i ditur të dielën nga organizata joqeveritare që veprojnë në zonë.

Sipas OJQ-së “Lojtarët e Emergjencave”, avionë luftarakë egjiptianë bombarduan një zonë të shfrytëzimit të arit të shtunën. Megjithatë, Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) theksoi se nuk kishte mundur ta verifikonte në mënyrë të pavarur këtë pretendim. Autoritetet egjiptiane nuk kishin dhënë një koment të menjëhershëm mbi ngjarjen.

Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji. Në qershor, e njëjta zonë u godit nga një sulm i ngjashëm, që gjithashtu iu atribuua Egjiptit, ku mbetën të vrarë 23 persona. Në atë kohë, ushtria egjiptiane nuk mori përgjegjësinë për sulmin, por deklaroi se po zhvillonte një “operacion në shkallë të gjerë” kundër minierave të paligjshme të arit brenda territorit të Egjiptit.

Zona kufitare mes Sudanit dhe Egjiptit është prej kohësh objekt mosmarrëveshjesh mes dy vendeve, të cilat pretendojnë sovranitetin mbi Trekëndëshin Halaib, një territor i pasur me burime minerale.

Ndërkohë, Egjipti mbështet ushtrinë sudaneze në luftën kundër milicisë së Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, në një konflikt që vijon të shkaktojë viktima dhe të rëndojë situatën e sigurisë në vend.

Top Channel