Kombëtarja e vajzave në playoff-in e Botërorit, trajneri Grima para sfidës me Uellsin: Pse të mos shpresojmë, në futboll gjithçka arrihet

12/10/2026 22:56

Kombëtarja e vajzave mbylli përgatitjet për ndeshjen e kthimit të playoffit të Botërorit 2017 ndaj Uellsit. Vajzat kuqezi këtë të hënë zhvilluan seancën e fundit stërvitore në prag të kësaj sfide shumë të rëndësishme që do të luhet në mbrëmjen e kësaj të marte në Uells.

Sfida e parë e zhvilluar në Loro Boriçi të Shkodrës u mbyll me fitoren 1-0 të uellsianeve, por për trajnerin Armir Grima skuadra e tij mund të përmbysë rezultatin pasi në futboll gjithçka ndodh.

Në një prononcim për kanalet zyrtare të FSHF, Grima shprehu keqardhjen për rezultatin e ndeshjes së parë duke parë edhe lojën e vajzave tona, por nuk e fshehu dëshirën për një mrekulli

‘Futbolli i tillë është, aty ku nuk e pret, ta kthen. Aty ku ti nuk e mendon, nuk ta kthen. Ne shpresojmë shumë që të përsërisim atë ndeshje të mirë që bëmë në Shkodër. Është detyrë e jona, është detyrë e vajzave që ta përsërisim atë ndeshje dhe pse mos të shpresojmë. Gjithçka arrihet në futboll-tha Grima

Kombëtarja e vajzave do të ketë mungesa në sfidën e kthimit me Uellsin, por për trajnerin shkodran tashmë ky aspekt nuk i bën përshtypje tashmë.

‘Ne jemi mësuar të luajmë me mungesa. Po mos të kemi mungesa, duhet të themi se çfarë ka ndodhur. Por e rëndësishme është që vajzat të jenë të freskëta fizikisht, kemi punuar që të jenë të çlodhura fizikisht dhe të jemi gati për ndeshjen. Ajo që është shumë e rëndësishme është që ne ta menaxhojmë ndeshjen mirë dhe të shpresojmë deri në fund në një mrekulli, që do të ishte mrekulli për ne, për futbollin e vajzave në Shqipëri dhe për çdo gjë-përfundoi trajneri i Kombëtares së vajzave, Armir Grima.

Top Channel