Kryeqyteti ngjyroset bardheblu! Tirana ka fituar derbin e parë të sezonit ndaj Partizanit, duke triumfuar me rezultatin 1-3 në “Air Albania”.

Në një sfidë me ritëm, raste dhe emocione, bardheblutë kanë treguar efikasitet në momentet vendimtare, duke siguruar një fitore të rëndësishme përballë rivalëve të përjetshëm.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për Tiranën. Që në minutën e 7-të, Redon Xhixha lëshoi një goditje të fortë nga distanca, duke mposhtur portierin Qirko dhe duke kaluar bardheblutë në avantazh. Një start ideal për skuadrën e Tiranës, që kërkoi të shfrytëzonte entuziazmin e golit të hershëm.

Partizani reagoi dhe u përpoq të rikthehej në lojë. Fillimisht, Aliu goditi shtyllën në minutën e 15-të, ndërsa më pas Himallari provoi të rrezikonte. Presioni i të kuqve u shpërblye në minutën e 36-të, kur Skuka depërtoi nga e djathta dhe pasoi për Himallarin, i cili e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 1-1.

Pjesa e parë u mbyll në barazim, duke lënë gjithçka të hapur për 45 minutat e dyta.

Fraksioni i dytë nisi me Tiranën më kërkuese. Hazrollaj provoi të rrezikonte menjëherë pas rifillimit, ndërsa Daci ishte pranë golit me një goditje me kokë që përfundoi pak mbi traversë. Nga ana tjetër, Partizani pati mundësinë e tij me Aliun, i cili goditi sërish shtyllën në minutën e 52-të.

Kur ndeshja dukej se mund të vendosej nga një episod, Tirana gjeti golin e avantazhit në minutën e 79-të. Pas një kombinimi të bukur me Kish, Ilievski u shfaq përballë Qirkos dhe me një goditje të fortë dërgoi topin në rrjetë, duke çuar shifrat në 1-2.

Goli i dha më shumë besim bardhebluve, të cilët vijuan të sulmonin. Në minutën e 83-të, Hazrollaj u rrëzua në zonë pas ndërhyrjes së Janjevës dhe gjyqtari Xhaja akordoi penallti. Nga pika e bardhë, Kish u tregua i saktë në minutën e 85-të, duke shënuar golin e tretë dhe duke vulosur fitoren e Tiranës.

Në minutat e mbetura, Partizani nuk arriti të reagojë, ndërsa Tirana administroi avantazhin deri në vërshëllimën përfundimtare.

Tirana merr kështu një sukses të rëndësishëm në derbin e parë të sezonit, duke mposhtur Partizanin 1-3 dhe duke festuar përballë rivalit historik. Pas barazimit 1-1 në pjesën e parë, bardheblutë bënë diferencën në fundin e takimit, me Ilievskin dhe Kishin që vulosën një triumf të paharrueshëm për tifozët bardheblu.

Top Channel