Henrikh Mkhitaryan i ka idetë e arta përsa i përket të ardhmes së tij. Mesfushori i Interit foli në një inervistë për një televizion armen gjatë së cilës përshkoi etapat e karrierës së tij duke përjashtuar në mënyrë kategorike një transferim të mundshëm në Arabinë Saudite apo MLS në të ardhmen.

‘Përjashtoj mundësinë e transferimit në Arabinë Sauditë, Armeni apo edhe MLS-tha Mkhitaryan në intervistën e tij-sepse paratë nuk kanë qenë kurrë gjëja më e rëndësishme. Nuk kam luajtur kurrë futboll për para. Ndryshova klub dhe kam luajtur futboll për ambiciet e objektivat e mi, për ato ëndrra që kisha që kur isha fëmijë dhe që më kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës’.

Por mesfushori armen nuk ka përcaktuar asnjë datë se kur do të vendosë që të varë këpucët në gozhdë.

‘Nuk mund të premtoj asgjë, sepse tani jam në një moshë ku nuk është e nevojshme të bësh projekte të mëdha afatgjatë-vijoi Mkhitaryan-është e nevojshme që të vijosh hap pas hapi, duke menduar për ditën pasuese. Sepse nuk është e lehtë të rikuperosh, nuk është e lehtë të vendosësh objektiva dhe nuk është e lehtë të stërvitesh siç bëjnë shokët e tu të skuadrës që janë 22 vjeç. Përpiqem të bëj gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme, por nuk mund të premtoj edhe përsa kohë do të vazhdoj të luaj’.

Top Channel