Zyrtare/ Cristiano Ronaldo pezullohet përkohësisht nga Federata Portugeze, hapet procedim disiplinor ndaj yllit të futbollit
U duk si një dëmtim i zakonshëm, por u kthye në një makth që zgjati më shumë se 500 ditë. Ylli suedez i Tottenhamit kaloi dy operacione, dhimbje të vazhdueshme dhe pasiguri për të ardhmen, përpara se të niste rrugën drejt rikthimit në fushë.
Ndeshja kundër Crystal Palace, më 11 maj 2025, ishte fillimi i një prej periudhave më të vështira të karrierës së Dejan Kulusevskit. Pas një përplasjeje në gju me Marc Guéhi, futbollisti suedez u detyrua të largohej nga fusha. Në fillim, dëmtimi u konsiderua një goditje e lehtë, por ekzaminimet zbuluan një problem me kërcin e kupës së gjurit.
Ajo që pritej të zgjaste vetëm disa muaj u shndërrua në një kalvar të gjatë. Kulusevski iu nënshtrua një operacioni, por dhimbjet vazhduan dhe rikthimi u shty vazhdimisht. Në mars 2026, atij iu desh të operohej për herë të dytë, në përpjekje për të zgjidhur problemin që e mbante larg futbollit. Për një lojtar që ishte kthyer në një nga figurat më të rëndësishme të Tottenhamit, sfida nuk ishte vetëm fizike. Pas muajsh jashtë fushave, frika për të humbur formën, ritmin dhe vendin në skuadër u bë pjesë e përditshmërisë së tij.
Karriera e Kulusevskit ka qenë një histori këmbënguljeje. I formuar në Itali, ai spikati te Parma, kaloi te Juventusi dhe më pas gjeti te Tottenham një skuadër ku talenti dhe fiziku i tij u shndërruan në armë të rëndësishme. Në karrierën e tij ka fituar trofe dhe ka luajtur përkrah emrave të mëdhenj si Cristiano Ronaldo. Por dëmtimi i rëndë i ndërpreu gjithçka në momentin kur pritej të ishte në kulmin e tij. Edhe ëndrra për të përfaqësuar Suedinë në Botërorin 2026 u bë e vështirë për t’u realizuar, pasi mungesa e minutave në fushë nuk i lejoi të ishte gati në kohë.
Gjatë kësaj periudhe, mbështetja e familjes u bë një nga shtyllat kryesore të futbollistit. Bashkëshortja e tij, Eldina, i kushtoi një letër emocionuese, duke vlerësuar këmbënguljen dhe forcën me të cilën ai përballoi dhimbjen, operacionet dhe muajt e gjatë të rehabilitimit. Pas më shumë se 500 ditësh larg futbollit, Tottenham publikoi pamje të Kulusevskit duke vrapuar dhe kërcyer në stërvitje. Më pas u raportua se ai kishte marrë pjesë edhe në një ndeshje stërvitore me ekipet e të rinjve.
Rikthimi i plotë mbetet një proces që kërkon kujdes, por pas gjithë kësaj kohe, çdo hap drejt fushës është një fitore më vete. Për Tottenhamin, Kulusevski mund të jetë përforcimi më i rëndësishëm, jo për shkak të një transferimi të ri, por sepse po lufton të rikthejë futbollistin që ishte përpara makthit të dëmtimit.
Top Channel