Ceferin ndryshon qëndrim, rikandidon për një mandat të fundit në krye të UEFA-s: Të mbajmë futbollin europian të bashkuar

08/10/2026 18:06

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, ka konfirmuar synimin për të kandiduar për një mandat të fundit në krye të organizatës europiane të futbollit.

Čeferin ua ka komunikuar vendimin presidentëve dhe sekretarëve të përgjithshëm të 55 shoqatave anëtare të UEFA-s. Sipas organizatës, në muajt e fundit federatat kombëtare i kishin kërkuar unanimisht atij të rishqyrtonte vendimin e mëparshëm për të mos kërkuar një tjetër mandat.

Presidenti i UEFA-s ka pranuar kërkesën dhe ka konfirmuar kandidaturën për rizgjedhje në Kongresin e 51-të të Zakonshëm të UEFA-s, i cili është planifikuar të zhvillohet më 22 prill 2027 në Astana të Kazakistanit.

“Dua të falënderoj shoqatat kombëtare për besimin e tyre. Në vitet e fundit, jemi përballur me sfida të jashtëzakonshme dhe e kemi bërë këtë si një ekip i bashkuar. Ka ende shumë punë të rëndësishme për t’u bërë dhe për këtë arsye e kam pranuar kërkesën e tyre”, u shpreh Čeferin.

Ai theksoi se objektivi i tij mbetet ruajtja e unitetit të futbollit europian dhe forcimi i UEFA-s.

“Ambicia ime mbetet e njëjtë: ta mbaj futbollin europian të bashkuar, ta bëj sportin tonë më të fortë dhe ta lë UEFA-n gati për gjeneratën e ardhshme”, tha ai.

Čeferin shprehu gjithashtu mirënjohjen ndaj familjes së tij për mbështetjen në vendimin për të vijuar në krye të UEFA-s.

Në takimin e zhvilluar në Berlin është diskutuar edhe e ardhmja e qeverisjes dhe lidershipit të FIFA-s.

Sipas UEFA-s, të gjitha 55 shoqatat kombëtare, me përjashtim të Federatës së Futbollit të Azerbajxhanit, kanë rënë dakord për një drejtim të përbashkët lidhur me reformën e FIFA-s.

Federatat kanë shprehur pakënaqësi ndaj lidershipit aktual të organizatës botërore dhe kanë kërkuar ndryshime më të thella institucionale.

Në deklarimin e tyre, shoqatat theksojnë se vetëm reforma institucionale nuk është e mjaftueshme dhe se FIFA ka nevojë edhe për një lidership të ri.

Sipas tyre, drejtuesi i ardhshëm duhet të jetë një figurë e respektuar dhe unifikuese, me përvojë të thellë në futboll, vizion dhe aftësi për të fituar besimin e të gjitha rajoneve.

Federatat europiane kërkojnë gjithashtu që drejtimi i FIFA-s të ketë një angazhim të qartë ndaj zhvillimit, reformës, integritetit dhe pavarësisë së organizatës.

Një tjetër takim i 55 shoqatave kombëtare të UEFA-s pritet të zhvillohet deri më 17 nëntor 2026, ku pritet të vijojë diskutimi mbi të ardhmen e qeverisjes së futbollit europian dhe atij botëror.

Top Channel