“Nata që askush nuk dëshiron të përfundojë”, Messi qan para lamtumirës historike në Monumental
Askush të mos gabojë: Lionel Messi nuk është tërhequr ende nga futbolli. Pavarësisht titujve të shumtë pas ndeshjes së fundit me Beninin, 39-vjeçari thjesht ka vendosur në plan të dytë një prej përgjegjësive më të mëdha që ka mbajtur gjatë karrierës së tij me kombëtaren argjentinase.
Në Miami ende priten gola të tjerë nga ylli argjentinas. Por, në të njëjtën kohë, largimi i tij nga kombëtarja duket se po përjetohet në Argjentinë si një boshllëk i madh. Për familjen e futbollit argjentinas, ideja e një kombëtareje pa Messin është e vështirë për t’u përfytyruar.
Megjithatë, historia e futbollit tregon se edhe pas largimit të legjendave më të mëdha, gjithmonë ka ardhur dikush tjetër.
Nga Messi te pasardhësi i tij
Kur Messi u largua nga Barcelona në vitin 2021, shumë tifozë menduan se klubi do ta kishte të pamundur të gjente një zëvendësues për të. Madje pati edhe nga ata që deklaruan se do të “fiknin televizorin përgjithmonë”.
Vetëm dy vjet më vonë, pas një periudhe ku fanella me numrin 10 kaloi nga një lojtar te tjetri, në skenë doli Lamine Yamal. Sot, talenti spanjoll po shijon suksesin e tij dhe po i bën tifozët të shijojnë futbollin, pa u mbështetur te nostalgjia për epokat e mëparshme.
E njëjta histori është përsëritur edhe me shumë prej legjendave të mëdha të futbollit. Pas largimit të një “mbreti”, futbolli ka gjetur një tjetër.
Pelé, Di Stéfano dhe Cruyff
Pelé u largua zyrtarisht nga kombëtarja e Brazilit në korrik të vitit 1971, pas 92 ndeshjesh dhe 77 golash me fanellën e “Seleçaos”. Ai kishte fituar tre Kupa Bote, në vitet 1958, 1962 dhe 1970.
Pas largimit të tij, Brazili fitoi vetëm një nga katër ndeshjet e para dhe kaloi 24 vjet pa fituar Kupën e Botës. Megjithatë, sipas gazetarit brazilian Fernando Kallás, mungesa e Pelé nuk u ndje në mënyrën që mund të mendohet.
“E zëvendësuan lojtarë të një niveli të jashtëzakonshëm”, është shprehur ai, duke përmendur mes tyre Rivelinon, Zicon dhe Sócrates.
Edhe largimi i Alfredo Di Stéfanos nga kombëtarja spanjolle nuk solli një krizë të madhe. Ai luajti 31 ndeshje me Spanjën dhe shënoi 23 gola, ndërsa paraqitjen e fundit e pati në qershor të vitit 1962.
Vetëm disa muaj më vonë, Spanja fitoi Kampionatin Europian, në finalen ndaj Bashkimit Sovjetik.
Maradona dhe boshllëku që ndjeu Argjentina
Rasti më i afërt me atë që mund të përjetojë Argjentina pas Messit është ai i Diego Maradonës.
Maradona luajti 90 ndeshje me kombëtaren dhe shënoi 33 gola. Largimi i tij la një boshllëk të madh dhe pas tij Argjentina kaloi një periudhë të gjatë pa gjetur një figurë që të kishte të njëjtin ndikim. Ariel Ortega ishte një prej lojtarëve që mori përsipër trashëgiminë e numrit 10, por nuk arriti të mbante të njëjtin rol.
Më pas erdhi Messi.
Ai kaloi nga një periudhë ku kritikohej për finalet e humbura, në statusin e legjendës pas triumfit në Kupën e Botës 2022.
Sipas gazetarit argjentinas Juan Ignacio Irigoyen, situata këtë herë mund të jetë ndryshe, pasi Messi po largohet nga kombëtarja në një moment ku ende konsiderohet në nivelin më të lartë.
Edhe Cruyff la pas një boshllëk
Johan Cruyff u largua nga kombëtarja holandeze në vitin 1977, pas 48 ndeshjesh dhe 33 golash. Largimi i tij u ndje, por Holanda arriti të rikthehej në finalen e Kupës së Botës në vitin 1978, duke u mbështetur te lojtarë si Rensenbrink dhe Krol.
Më pas, kombëtarja holandeze kaloi një periudhë të vështirë, deri në shfaqjen e një brezi të ri me Ruud Gullit dhe Marco van Basten, që e çoi Holandën drejt titullit europian në vitin 1988
Messi ende nuk është larguar plotësisht
Historia e futbollit tregon se largimi i një legjende nuk nënkupton domosdoshmërisht fundin e një kombëtareje. Pelé luajti edhe tetë vite pas largimit nga kombëtarja, Di Stéfano katër vite, Cruyff shtatë dhe Maradona tre.
Messi, për momentin, nuk është larguar plotësisht nga futbolli. Ai thjesht po e ul gradualisht ritmin. Në Argjentinë mund të ketë nisur një epokë e re, por kapitulli i fundit i Messit ende nuk është shkruar.
Shijojeni sa kohë zgjat.
Top Channel