Për Shqipërinë, fitorja 2-1 e mbrëmshme kundër modestëve të San Marinos i ngjau më shumë një makthi me “happy end” të sforcuar.

Të presësh minutën e 91-të dhe një penallti nga Asllani për të thyer ekipin e fundit të FIFA-s, ishte një sukses në kufijtë e dështimit që la pas vetëm stres në kampin kuqezi.

Por ndërsa vendasit shfrynin nga tensioni, në një cep të “Arenës Kombëtare” luhej një tjetër sport: ai i auto-ironisë brilante. Një grup tifozësh sanmarinezë pozuan të qeshur vesh më vesh, fiks pasi iu vodh ëndrra e barazimit në shtesë.

Ata shpalosën me krenari një flamur me mbishkrimin e madh “MAI 1 GIOIA” (Kurrë një gëzim). Kjo parullë sa therëse aq edhe gjeniale, theksoi paradoksin e mbrëmjes: ndërsa ne vuajmë edhe kur fitojmë, tifozët miq kanë mësuar ta kthejnë dëshpërimin e përhershëm sportiv në humor dhe auto-ironi. Një leksion i vërtetë se si buzëqeshja mund të mos humbasë kurrë, as nga pika e bardhë në minutën e 91-të.

Top Channel