Ligji për Dhomat e Specializuara në votim, Kurti: Adresa e fitores është apeli, ndryshimet janë të nxituara, por do t’i mbështesim
Një ditë me tensione politike dhe protestë është zhvilluar sot në Kosovë, ku në qendër të vëmendjes ishte projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Kuvendi e miratoi projektligjin në parim, ndërsa jashtë godinës protestuesit kërkuan me këmbëngulje miratimin e tij.
Protesta, e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nisi përpara Kuvendit dhe u përshkallëzua gjatë zhvillimit të seancës. Gjatë fjalimeve të deputetëve u hodhën mjete piroteknike, duke rritur tensionet jashtë godinës së Kuvendit.
Brenda Kuvendit, seanca e jashtëzakonshme nisi me 101 deputetë të pranishëm. Në sallë nuk ishte e pranishme Lista Serbe, ndërsa deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin të pranishëm, por nuk morën pjesë në votimin procedural për shmangien e procedurave që do t’i hapte rrugë shqyrtimit të projektligjit në këtë seancë.
Përpara se të mbërrinte në seancë plenare, projektligji u shqyrtua nga Komisioni për Legjislacion, i cili e miratoi me 9 vota pro dhe asnjë kundër. Më pas, projektligji kaloi për shqyrtim në Kuvend dhe u miratua në lexim të parë.
Gjatë seancës foli edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili deklaroi se ndryshimet në ligj janë ndërmarrë me nxitim, por se Lëvizja Vetëvendosje do t’i mbështesë. Kurti e cilësoi luftën e UÇK-së si të drejtë dhe tha se “për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq”.
Kurti e vuri theksin edhe te procesi i apelit për aktgjykimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Adresa e fitores është apeli”, tha ai, duke kërkuar një strategji shtetërore dhe kombëtare që, sipas tij, nuk duhet të jetë partiake. Në lidhje me zhvillimet në Hagë, Kurti tha se për zbatimin e kësaj strategjie Kosovës i duhen institucione funksionale.
“Për ta zbatuar strategjinë na duhen institucione funksionale, president dhe qeveri stabile”, deklaroi kryeministri në detyrë.
Në të njëjtën kohë, çështja e zgjedhjes së presidentit mbetet një tjetër pikë kyçe në zhvillimet politike në Kosovë. Deputetët kanë në dispozicion datat 5 dhe 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërsa dështimi i procesit do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Kurti bëri gjithashtu të ditur se gjatë ditës do të takohej me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, pa dhënë detaje për temat e diskutimit.
Kështu, dita në Kosovë u karakterizua nga përplasja mes zhvillimeve brenda Kuvendit dhe protestës jashtë tij, me miratimin në parim të projektligjit për Dhomat e Specializuara si një nga zhvillimet kryesore politike të ditës.
Zhvillimet minutë pas minute:
Top Channel