Komisioni i Legjislacionit miraton projektligjin për Dhomat e Specializuara, tani kalon në seancë plenare

05/10/2026 08:41

Komisioni parlamentar për Legjislacion në Kosovë ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Leonita Bajrami, projektligji mori mbështetjen e të gjithë anëtarëve të pranishëm të komisionit, me 9 vota pro dhe asnjë kundër, duke i hapur rrugë shqyrtimit të tij në seancën plenare të Kuvendit.

Pas përfundimit të mbledhjes së komisionit, deputetët janë drejtuar drejt sallës së seancave plenare, ku në orën 09:00 është paraparë të nisë seanca e jashtëzakonshme.

Ndryshimet për Dhomat e Specializuara janë pika e parë e rendit të ditës së seancës së sotme. Projektligji u prezantua më herët në Komisionin për Legjislacion nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda.

Gjatë prezantimit, Gruda deklaroi se qëllimi i nismës është mbrojtja e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shqyrtimi i projektligjit zhvillohet në një ditë të rëndësishme politike në Kosovë, ndërsa jashtë Kuvendit është paralajmëruar edhe protestë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në mbështetje të ndryshimeve të propozuara.

Në seancën e sotme janë paraparë gjithsej 22 pika të rendit të ditës, ndërsa pas shqyrtimit të projektligjit për Dhomat e Specializuara, deputetët pritet të vijojnë me çështjet e tjera të parashikuara në agjendën parlamentare.

Top Channel