Ditët e fundit kombëtarja e Kosovës është tronditur nga dy vendime te befta të marrë nga 2 prej emrave më të rëndësishëm të kësaj skuadre; Amir Rrahmanit dhe Florent Hadërgjonaj.

Të dy lojtarët deklaruan për largimin nga skuadra e Dardanëve, por ndërsa Rrahmani deklaroi tërheqjen përfundimtare nga kombëtarja për shkak të përplasjeve me drejtuesit e Federatës, në rastin e Hadërgjonaj bëhet fjalë për një tërheqje momentale me futbollistin që ka folur për probleme më raportet me stafin teknik.

Largimet e këtyre dy futbollistëve nga skuadra e Kosovës u diskutuan edhe në konferencën për shtyp të trajnerit Franco Foda në prag të ndeshjeve të edicionit të ri të Nations League, me trajnerin që pohoi se kishte pasur një bisedë private me Rrahmanin.

‘Më telefonoi dhe kemi biseduar. Sigurisht detajet do të mbesin mes nesh. Kam kontaktuar për t’ia ndryshuar mendjen dhe nuk kam mundur. Ai e ka marrë vendimin dhe të gjithë duhet ta pranojmë. I urojmë më të mirat-tha trajneri Franco Foda.

Ndërsa në rastin e Hadërgjonajt, trajneri gjerman nuk e fshehu se mbeti i befasuar nga ai vendim i lojtarit

‘Hadërgjonaj nuk më kontaktoi, vendimin e tij e mësova përmes mediave. Duhet ta pranojmë edhe vendimin e tij, por më duhet të theksoj se të gjithë lojtarët që i ftoj, iu fal besimin tim të plotë. Të gjithë i përkrah dhe faktikisht nuk mund ta kuptoj arsyen se pse është tërhequr nga kombëtarja. Më duhet të pranoj dhe i uroj më të mirat në të ardhmen. Për mua ka rëndësi që kushdo që është në dispozicion, ai duhet të luajë me zemër për Kosovën, të jetë i rritur për të luajtur dhe që gjithmonë të japin maksimumin për Kosovën. Secili duhet të pranojë se kur të ftohet mund edhe të mos luajë-shtoi Foda

Kosova në këtë fushatë 3 javore grumbullimi për ndeshjet e Nations League do të luajë me Irlandën, Austrinë 2 herë dhe Izraelin dhe Foda theksoi se mezi pret që skuadra e tij t’i zhvillojë këto ndeshje

‘Mezi presim t’i luajmë këto katër ndeshjet e radhës. Do të përgatitemi këto ditë sidomos ndaj Irlandës. Duam ta fitojmë secilën ndeshje, por siç tha Bajrami na mungojnë disa lojtarë shkaku i dëmtimeve, disa janë tërhequr. Por, kemi ftuar edhe lojtarë të rinj. Në ditët e ardhshme do të luajmë ndaj një ekipi të mirë, të uritur për fitore. Është me rëndësi të luajmë me intensitet të fortë dhe kemi avantazhin sepse luajmë në shtëpi. Shpresoj të fitojmë-tha Franco Foda.

Top Channel